Kryesore » 2012 » Gusht » 26 » Policia, me rrjet të dobët të inspektimit
3:51 PM
Policia, me rrjet të dobët të inspektimit
Ka raste ku zyrtaret e Policisë Kufitare dyshohen për veprën penale "marrje e ryshfetit dhe shpërdorim të detyrës zyrtare”, por kryerësit e këtyre veprave të shumtën e herëve mbesin të pandëshkuar, si pasojë e rrjetit të dobët të inspektimit. Përkundër lëshimeve, Policia e Kosovës nuk pranon se kanë inspektim të dobët, duke thënë kanë mekanizma të mjaftueshëm për inspektim të Policisë Kufitare.Nuk kanë kaluar as dy javë prej kur është arrestuar një zyrtar policor me inicialet (F. N.), i cili shërbente në Policinë Kufitare, Regjioni i Perëndimit, me detyrë në pikën e kalimit kufitar Vërmicë dhe sipas Inspektoriatit Policor, zyrtari policor është arrestuar nën dyshimin për veprën penale "marrje e ryshfetit dhe shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit”.

Polici F. N. dyshohet se ka marrë nga një qytetar të holla në vlerë prej 50 euro me arsyetimin që t’i mundësojë kalimin e kufirit pa u regjistruar në sistemin BMS, sistemi ku regjistrohen të dhënat e personave që kalojnë pikën kufitare.

Raste të tilla të marrjes së ryshfetit, kanë ndodhur edhe në pikat tjera kufitare, si me një polic nga Peja, pastaj te pika kufitare Dheu i Bardhë, në Merdare, por Policia e Kosovës prapë vazhdon të mos pranojë se kanë rrjet të dobët të inspektimit.

Shef i hetimeve në Departamentin e Policisë Kufitare, Nevruz Hasani i ka thënë se Policia e Kosovës ka njësitet që bëjnë kontrollime të vazhdueshme në terren.

"Në kuadër të Policisë Kufitare, po ashtu edhe të Policisë së Kosovës, ekziston njësitë e veçanta, të cilat kryejnë inspektimin kohë pas kohë të Policisë së Kosovës në përgjithësi, por edhe të Policisë Kufitare, domethënë në vazhdimësi ata merren me operacione që kryejnë inspektime nëpër pika kufitare”, ka thënë ai.

Kurse zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani sqaron se cilët janë mekanizmat e Policisë që inspektojnë punën e Policisë Kufitare.

"Kemi edhe Inspektoratin Policor, i cili në një mënyrë heton edhe rastet që janë të implikuar zyrtaret policor. Po ashtu kemi njësitin e standardeve profesionale, që merret me masa disiplinore ndaj zyrtarëve policor që janë të kyçur në raste të ndryshme, si të dyshuar për masa disiplinore, apo tjera dhe kemi edhe mekanizmat e inspektimit dhe auditimit në kuadër të Policisë së Kosovës që vazhdimisht janë në terren dhe bëjnë inspektime në të gjithë Policinë e Kosovës, duke përfshirë edhe Policinë Kufitare”, ka thënë Kelani, për Kosovapress.

Megjithatë, sipas burimeve brenda Policisë së Kosovës ka qenë Njësia për Inspektimin dhe Incidentet Ndërkufitare, e cila është shuar, kurse Baki Kelanit thotë se ky njësit nuk është shuar, por ka marrë një riemërim tjetër, të cilin ai nuk e tregoi.

Ndryshe, deri më tani janë arrestuar rreth shtatë Policë Kufitar, kurse sipas burimeve para një muaji policia serbe ka arrestuar një person që ka kaluar në pikën kufitare në Meradre për në Serbi me disa diamante. Kurse, në momentin që komandanti i kësaj pike ka kontaktuar me policinë serbe, ata kanë dhënë të dhëna të pakta, duke treguar vetëm tipin dhe ngjyrën e veturës, megjithatë ajo veturë nuk është e regjistruar në sistemin BMS të Kosovës, sistemi ku regjistrohen të dhënat e personave që kalojnë pikën kufitare.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus