Kryesore » 2012 » Dhjetor » 2 » Përgjimet, PDK vazhdon të heshtë
2:19 PM
Përgjimet, PDK vazhdon të heshtë
Tri ditë pas publikimit të përgjimeve të telefonatave ku drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Sami Lushtaku dhe Vlora Çitaku fyejnë rëndë bashkëpartiakun e tyre, Jakup Krasniqi, dhe qytetarët e Komunës së Malishevës, të cilët cilësohen si "zagarë”, ky subjekt politik vazhdon heshtjen karshi këtij skandali.
Të vetmen gjë që partia e kryeministrit Thaçi e ka thënë nëpërmjet një kumtese për medie është thirrja që të hetohen personat që i kanë publikuar përgjimet, ku është thënë gjithashtu se përgjimet janë të fabrikuara – gjë që është hedhur poshtë menjëherë nga EULEX-i, i cili e ka konfirmuar se incizimet janë të sakta dhe të kryera nga organet e këtij misioni.
Ndërkaq, të premten kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, ka kërkuar nga personat që e kanë "marrë në gojë” t’i kërkojnë falje publike, siç ka thënë ai, ngase e kanë ofenduar të parin e Kuvendit, por as kjo nuk ka ndodhur.

Por, për analistët politikë, edhe sikur të ndodhte kërkim falja, kjo nuk do t’i shpërlante "të fortit” e PDK-së karshi skandalit.

Analisti, Avni Zogiani, thotë se qeveritarët e vendit kanë pasur shumë afera para kësaj të përgjimeve, prandaj, sipas tij, është e ulët të kërkohet dorëheqja, ngase ata, siç thotë ai, nuk do të duhej kaherë të ishin në pozitat që i kanë tash për tash.

"Kryetari i Skenderajt ka qenë i dënuar me burg. Adem Grabovci ka qenë pjesëtar i një strukture që është quajtur SHIK, e cila ka pjesëtar të dënuar për krime serioze, domethënë një organizatë, anëtarët e të cilës janë të dënuar për krim. Këta nuk do të duhej fare të ishin në këto pozita”, thotë ai.

Sipas tij, përgjimet dëshmojnë gjithashtu se drejtuesit e PDK-së janë të preferuar nga bashkësia ndërkombëtare, ngase, ata si të tillë çfarë paraqiten në telefonata shumë lehtë manipulohen dhe mbahen nën kontroll nga ndërkombëtarët.

Politologu, Belul Beqaj, vlerëson se personat që i kanë informatat për atë që ndodh "larg syrit të opinionit” dhe nuk e dëshmojnë këtë, janë përgjegjës para ligjit për fshehje të informatave. "Përgjegjësia më e madhe është te ata që dinë çfarë po ndodh në Kosovë, dhe këtë në forma tinëzare i publikojnë në mënyrë të dozuar sa herë që kanë nevojë për të treguar fytyrën e vërtetë të pushtetit, dhe në fakt, duke bërë këtë veprim ata po tregojnë se sa janë të pafytyrë vetë”, thotë Beqaj, shkruan "Zëri”.

Ndërkaq, nënkryetari i Lëvizjes "Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se kërkim falja në adresë të kryeparlamentarit nuk është e mjaftueshme, ngase sipas tij, bëhet fjalë për shkelje të ligjit dhe se përveç dorëheqjes duhet të ketë edhe hetime të tjera nga prokurorët.

E vetmja që ka folur për aferën e përgjimeve është ministrja Çitaku, e cila është njëra nga protagonistët e aferës. Ajo megjithatë ka folur vetëm për stafin e ministrisë që e drejton, duke pohuar se stafi i saj nuk është politik por profesional
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus