Kryesore » 2012 » Dhjetor » 3 » Për procesin e liberalizimit edhe më shumë kushte
3:17 PM
Për procesin e liberalizimit edhe më shumë kushte
Kosova ka më shumë kushte për të plotësuar në procesin e liberalizimit të vizave, se sa vendet e tjera të rajonit. Kjo doli nga një studim i kryer nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, me temën "Vlerësimi i zbatimit të politikave të rendit publik dhe sigurisë në kontestin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”. Sipas studimit fusha e cila nuk ka pasur sukses është ajo e luftimit të korrupsionit.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, tha se gjatë hulumtimit është vërejtur se Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në Kosovë, ka më shumë kushte që i janë vendosur Kosovës se sa vendeve të tjera të rajonit. Kjo është e pajustifikueshme, tha Qehaja."Procesi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, iu është vendosur si parakusht Kosovës, kurse Malit të Zi nuk i është vendosur. Në si institut i pavarur konsiderojmë se jo gjithsesi është e justifikueshme dhe në një farë mënyre nuk i kontribuon sigurisë dhe stabilitetit, duke pasur parasysh që dëshirat janë shumë të mëdha që edhe Kosova si vendi i fundit në rajon të përfshihet në këtë proces”, tha Qehaja, shkruan RTK.

Ndërkaq, koordinatori teknik për liberalizim të vizave në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Besnik Vazolli, tha se rekomandimet nga hulumtime të tilla ndihmojnë për të qartësuar disa çështje që përkrahin procesin e liberalizimit të vizave. Sa i përket kushteve në Udhërrëfyesin për Kosovën, ai tha se nga 96 kritere dhe 5 indikatorë, shumica prej tyre janë të zbërthyera.

"Nga njëra anë kjo është pozitive, sepse matet më mirë dhe më lehtë, ndërsa nga ana tjetër kërkon më shumë punë edhe në zbatim edhe në raportim. Ne tani duhet të bëjmë më shumë se sa kanë bërë shtetet e rajonit. Fokusi më i madh është në zbatim, ky është edhe dallimi nga shtetet e rajonit, sepse te ne kërkohet edhe miratimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre”, tha Vazolli.

Nga ky studim është konstatuar se në aspektin e legjislacionit në Kosovë, ka pasur progres në menaxhimin e integruar të kufijve, ndërsa është shënuar sukses në mbulimin e legjislacionit për rendin publik. Ajo që nuk është bërë sa duhet, sipas raportit, është luftimi i rasteve konkrete të korrupsionit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus