Kryesore » 2013 » Shkurt » 7 » PE miraton rezolutën për Kosovën
4:40 PM
PE miraton rezolutën për Kosovën
Komiteti për politikën e jashtme në Parlamentin Evropian ka miratuar të enjten projekt-rezolutën për Kosovën, duke mbështetur synimin e Komisionit Evropian për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Prishtinën. Sipas raportimeve të "REL”, rezoluta është votuar me 42 vota pro, 10 vota kundër dhe 12 abstenim. Pasi ka kaluar në këtë komision, rezoluta do të shkojë për votim në seancë plenare në pranverë. Miratimi i saj konsiderohet si një fitore e mbështetësve të pavarësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian. Në këtë rezolutë, edhe kësaj radhe, i bëhet ftesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. 
Po ashtu, projekt-rezoluta edhe një herë kundërshton qartë çdo ide për ndarje të territorit të Kosovës. Në të mbështetet vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri tani në këtë proçes. 

Rezoluta po ashtu kërkon më shumë transparencë për punën e EULEX-it dhe angazhim më të madh të institucioneve të Kosovës dhe misionit evropian në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në të njëjtin komision është miratuar edhe projekt-rezoluta për Serbinë. Në këtë projekt-rezolutë, eurodeputetët bëjnë thirrje që Serbisë t'i jepet sa më parë data për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Si në rezolutën për Serbinë, ashtu edhe në atë për Kosovën, është nënvizuar nevoja për vazhdimin e dialogut dhe për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus