Kryesore » 2012 » Gusht » 23 » PDK e fton edhe Vetëvendosjen në koalicion
5:21 PM
PDK e fton edhe Vetëvendosjen në koalicion
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që të marrё përgjegjësitë për proceset në të cilat po kalon Kosova. Ai duke komentuar thirrjet që kjo parti po u bën partive tjera opozitare për mosbashkëpunim me qeverinë, ka thënë se PDK dallon në këtë pikë, pasi për dallim prej tyre nuk është parti përjashtuese
 "Për ne ka përfunduar një herë e përgjithmonë politika e përjashtimit, politika e distancimit, siç ka ndodhur në kohën e monizmit, nuk ka askush të drejtë ta përjashtojё askënd, ta linçojё dhe izolojё dikë, nuk ka askush të drejtë t’i tregojё subjektit tjetër se si të veprojё, çdo tentativë e tillë, për ne është e papranueshme”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në një intervistë për ‘Lajm’.Zërat e fundit se partia opozitare AAK, mund t’i bashkohet PDK-së në qeveri kanë ngjallur reagime dhe kundërshtime të mëdha tek partitë tjera opozitare. Madje Vetëvendosje ka kërkuar edhe me anë të letrave, por edhe nëpërmjet konferencave, nga partitë tjera opozitare që të mos i bashkëngjiten PDK-së në koalicion qeverisë.

Mirëpo, Grabovci ka ftuar Vetëvendosjen që të marrё përgjegjësitë që i takojnë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

"Është e mirëseardhur edhe Vetëvendosje për të marrё përgjegjësitë e veta karshi proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, dhe natyrisht PDK-ja e mirëpret. Ne nuk jemi udhëhequr asnjëherë nga politika e largimit, por e ofrimit dhe bashkëpunimit me të gjithë”, ka thënë Grabovci.

Madje ai thotë se ka miq që janë deputetё të Vetëvendosjes që bashkëpunon dhe pajtohet plotësisht për shumë çështje që janë në interes nacional.

"Ne kemi gatishmërinë, edhe me Vetëvendosjen të hyjmë në koalicion, sepse aty kam disa miq të mirë, shumë deputetё që bashkëpunoj në mënyrë të jashtëzakonshme me ta, që pajtohemi plotësisht nё mes veti kur janë në pyetje interesat nacionale, përjashtim ndonjë zëri që ka humbur arsyen dhe deklaron diçka që nuk i kontribuon procesit”, është shprehur Grabovci.

Mirëpo, ende nuk dihet se a do të jetë AAK-ja pjesë e koalicionit qeverisës me PDK-në, pikërisht në kohën kur po flitet se Kosova dhe Serbia mund të nisin një proces të ri të bisedimeve politike. Madje janë shtuar edhe zërat se edhe pjesa veriore e Kosovës mund të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, ndonëse janë kundërshtuar fuqishëm nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, Grabovci thotë se edhe pse atyre u duhet çdo deputet dhe çdo votë e qytetarëve është e respektuar, vendimet për hyrje apo mos hyrje në koalicion me dikë merren nga organet e PDK-së.

"Populli nuk thotë rastësisht, ‘bashkimi bën fuqinë’, dhe çdo qytetar që ia do të mirën vendit ai bën thirrje për bashkëpunim, për ndarje të përgjegjësive, por kurrsesi për mosbashkëpunim, dhe mosunitet”, shprehet Grabovci, duke ritheksuar se ka bashkëpunim dhe miq shumë të mirë edhe në VV, edhe në LDK, por dhe në AAK, dhe se në çdo kohë kur ka qenë në pyetje interesi nacional ai ka bashkëpunuar me ta dhe ka pasur mbështetjen e tyre.

Mirëpo, koalicioni i mundshëm me AAK-në, ende nuk është diskutuar në organet drejtuese të PDK-së, duke qenë se sipas Grabovcit koalicioni është stabil, por që fuqizimi i tij do të ishte mirë.

"Jo ende nuk e kemi diskutuar, por nuk kemi asnjë ftesë zyrtare për koalicione të reja. Por po e theksoj se koalicioni aktual është stabil, institucionet janë në nivel. Por ashtu siç ka deklaruar Pacolli, se mirëpret fuqizimin e koalicionit, i mirëpret të gjithë deputetёt dhe partitë politike serioze, jo ato që s’kanë seriozitet, të bëhen pjesë e koalicionit”, është shprehur Grabovci.

Ndërsa, sa i përket dialogut, Grabovci thotë se ende nuk kanë asnjë ftesë, asnjë vendim zyrtar që do të ketë dialog. Sipas tij, zëra të tillë janë dëgjuar në vazhdimësi, por pavarësisht kësaj, ai thotë se ata janë të gatshëm t’i përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, sepse nuk i kanë bërë askujt keq, kanë ndërtuar shtetin, dhe se nuk kanë asgjë për t’u frikuar.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus