Kryesore » 2012 » Janar » 7 » Pavarësia e mbikëqyrur mund të përmbyllet këtë vit
2:32 PM
Pavarësia e mbikëqyrur mund të përmbyllet këtë vit
Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera duhet t’i kalojnë disa faza për të arritur përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur brenda këtij viti. Zyra Civile Ndërkombëtare do të ndihmojë në këtë drejtim, duke bashkëpunuar me institucionet vendore për përgatitjen e kornizës ligjore dhe kushtetuese.Opozita thotë se duhet të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur, por institucionet vendore duhet të dëshmojnë se mund të ecin vetë përpara.Për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës duhet t’i kalojnë disa faza, një prej të cilave është transferimi i kompetencave të plota nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore. Ndryshimi i disa ligjeve dhe përfundimi i plotë i misionit të ICO-së dhe përgjysmimi i misionit të EULEX-it janë faza të tjera të cilat duhet të arrihen brenda këtij viti, raporton Radio Kosova.Vitin e kaluar, Qeveria pati përgatitur dy plane, të cilat zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i pati dorëzuar me 11 tetor në Bruksel. Kuçi thotë se Qeveria ka paraparë veprime konkrete dhe se çështja e veriut nuk është justifikim për ICO-në që të vazhdojë edhe më tutje të qëndrojë në Kosovë.

Edhe LDK-ja konsideron se gradualisht mbikëqyrjes së kësaj pavarësie duhet t’i vijë fundi, por paraprakisht duhet të plotësohen disa kondita. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se prezenca ndërkombëtare është ajo që garanton sundimin e rendit dhe ligjit, segment ky që, sipas tij, Qeveria realisht nuk ka bërë asgjë.

Ai ka përmendur si parametra shqetësues mungesën e sundimit të ligjit, të fjalës së lirë, shkallës së lartë të korrupsionit, sigurinë në vend dhe gjendjen në veri.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, e sheh nga një prizëm tjetër afrimin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

"Ne mendojmë se pavarësia e plotë e Kosovës mund të vijë kur ne mund të krijojmë sistem politik të qëndrueshëm, jashtë planit Ahtisaari”, theksoi Konjufca.

Zyrtarët e Qeverisë thonë do të ketë edhe ndryshime kushtetuese, përkatësisht heqje të dispozitave kalimtare që kanë të bëjnë me prezencën ndërkombëtare në Kosovë. Në këtë drejtim, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Christian Palmer, paralajmëron edhe bashkëpunimin e ICO-së.

"Para përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, ICO do të vazhdojë të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për të përgatitur kornizën legjislative dhe kushtetuese të Kosovës për të ardhmen e Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin”, tha Palmer.

Ndryshe, më 24 janar të këtij viti, në Vjenë do të mbahet takimi i radhës i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, në nivel të drejtorëve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen detyrat e Zyrës Civile Ndërkombëtare për vitin e ardhshëm dhe do të miratohet buxheti për vitin 2012 për këtë institucion
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus