Kryesore » 2012 » Korrik » 5 » Pacolli: Veriu i Kosovës të jetë si Dubai!?
1:29 PM
Pacolli: Veriu i Kosovës të jetë si Dubai!?
Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë me serbët në veri të Kosovës. Presidentja e Kosovës ka shprehur gatishmëri për t'u takuar me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic. Unë kam besuar gjithmonë se në një bisedë të drejtpërdrejtë lehtë do të arrinim tek zgjidhja për problemet që prekin të dyja palët, ka thënë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli. Në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai ka dënuar dhunën që thotë se është bërë kundër serbëve, ndërsa propozon që veriu i Kosovës të jetë një zonë ekonomike si Dubai, ku nuk do të ketë shpenzime për policë e doganierë të Kosovës! Ai madje thotë se do t’i udhëhiqte vet bisedimet me serbët në veri!"Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë me serbët në veri”, ka thënë ai, duke shtuar se dënon "sulmet ndaj serbëve gjatë Vidovdanit”.

"Mua nuk më pëlqen se çfarë ka ndodhur, edhe nga njëra e edhe nga pala tjetër. Zhveshja e fanellave (të serbëve me slogane antishqiptare – v.j.) nuk është fotografi e mirë e jona që është përcjellë në botë”, shton Pacolli, i cili thekson "se duhet shëruar plagët, e jo të krijohen të rejat”.

Për veriun e Kosovës ai propozon krijimin e një zone të lirë ekonomie, si Jebel Ali në Dubai.

"Veriu është pikë që dhemb dhe do të ishte më mirë sikur Kosova të bisedonte direkt me serbët se si të jetojmë tutje, si të bashkëpunojnë ekonomikisht, si t’i heqim kufijtë, të lehtësojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe kapitalit. Nga viti 2007 angazhohem që me mjete ekonomike të zgjidhen shumë probleme. Mendoj se në veri është dashur moti të investohet”, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës.

Në mendimin se nuk është e mundur të arrihet një marrëveshje me serbët në veri nëse përmendet shtetësia e Kosovës, ai tha se pikërisht për këtë angazhohet për bisedime.

"Në veri janë serbët dhe shqiptarët, dhe aty janë grupet kriminale që janë të lidhura mirë dhe mirë fitojnë, e dëmtojnë ekonominë serbe e kosovare. Unë jam i bindur se njerëzit janë lodhur nga një jetë të tillë", tha ai.

Pacolli më tej shprehu gatishmërinë e tij për ta filluar një dialog me serbët në veri të Kosovës, në qoftë se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ia beson këtë rol.

"Unë jam i gatshëm që menjëherë të shkoj dhe të bisedoj. Për mua serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë që meritojnë një zgjidhje për të ardhme më të mirë", thotë ai.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, ka një plan për integrimin e plotë të veriut. Ndërsa, sa i përket propozimit të tij për zonën pa dogana në veri, ka thënë se viti i kaluar ka dëshmuar se me dhunë nuk zgjidhen problemet.

"Pamë se askush nuk ishte i gatshëm të ulet e të flas. Unë nuk do të kursehem. Unë do ta jap maksimumin që zonat e lira ekonomike të funksionojnë. Edhe komuniteti ndërkombëtar do të përfitojë, sepse paratë e shpenzuara në polici do t’i investonte në prodhim”, mendon Pacolli.

"Në praktikë, zona e lirë ekonomike do ta përfshinte tërë veriore të Kosovës, në kuadër të ashtuquajturit kufi virtual verior, duke përfshirë pjesën jugore të Mitrovicës. Ajo në 20 apo 30 vitet e ardhshme mund të sjellë mijëra vende të reja pune në vit. Sepse, në qoftë se një prodhues në Gjermani paguan deri në 50 për qind të taksave, në një zonë të lirë paguan vetëm 5 për qind. Kjo është parajsë për të ", ka sqaruar propozimin e tij.

I pyetur nëse Qeveria e Kosovës e mbështetë këtë ide të tij, Pacolli tha se ai gjithmonë flet për këtë, por jo edhe qeveria e cila "gjithmonë ka kërkuar që ta zgjidhë problemin në konsultim me komunitetin ndërkombëtar”! Tani, sipas tij, ka ardhur koha që Kosova ta marrë fatin në duart e saj!

"Kur zona e lirë ekonomike jetësohet, askush në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd nuk do t'i japë përparësi politikës, por zhvillimit ekonomik”, është i bindur Pacolli. Ai madje thotë se investitorët janë duke pritur dhe pyetur se kur do të krijohen kushtet për veprim në zonën e lirë ekonomike.

"Kur ata vijnë e hapin një konkurs për vende pune, unë ju garantoj se shumë njerëz do të lajmërohen e nuk do të vërejnë se ekziston i ashtuquajturi kufi në Ibër". /Telegrafi/
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus