Kryesore » 2012 » Prill » 17 » Njohjet, strategji e çakorduar
3:36 PM
Njohjet, strategji e çakorduar
Fakti se me fusnotë Kosova është shndërruar në një shtet të çuditshëm, sipas analistëve, ka bërë që të ketë dështim në jetësimin e strategjisë për njohje të shtetit të Kosovës nga ato shtete që ende nuk e kanë bërë këtë.Por, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk e pranojnë këtë. Ata thonë se MPJ me strategjinë e aprovuar për njohjet para një viti e gjysmë është më e pajisur me njohuritë se ku qëndrojnë problemet kryesore rreth imazhit dhe njohjes së Kosovës, shkruan "Zëri”."Pas përpilimit të strategjisë dhe pas përpilimit të dokumenteve strategjike për njohje nga 5 shtetet e BE-së, të cilat janë bërë në bashkëpunim me fondacionin SOROS dhe me qeverinë britanike, ne jemi të pajisur më shumë me më shumë informata shtesë, të cilat na ndihmojnë jo vetëm për njohjet, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve dhe interaksionit të Kosovës me shtetet e tjera. Ne e dimë që para 1 viti e gjysmë Kosova ka qenë në një pozitë të palakmueshme mediale, e sulmuar majtas dhe djathtas nga propaganda serbe”, thotë zëvendësministri i MPJ-së, Petrit Selimi.

Sipas tij, një vit e gjysmë më vonë, MPJ ka pasur një mori të madhe të veprimeve, të kontakteve, të takimeve, të cilat kanë rrjedhur si pasojë e strategjisë dhe e dokumenteve të tjera strategjike.

"Po ashtu, sivjet për herë të parë kemi përpiluar strategjinë digjitale, e cila pritet të lansohet shumë shpejt”, ka thënë Selimi.

Mirëpo, këto strategji, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, i ka quajtur jofunksionale, jokompatibile, të pabaza dhe joprofesionale.

Në anën tjetër, Selimi i ka quajtur panjohuri dhe injorancë vlerësimet e ish-ministrit Hyseni, sa i përket funksionimit të strategjisë për njohje.

"Është panjohuri dhe injorancë e thellë e dikujt që ka punuar tre vjet pa dokumente, pa strategji dhe pa udhërrëfyes diplomatik. Kjo strategji është dokumenti i parë strategjik i suksesshëm i përpiluar në diplomacinë kosovare”, ka thënë Selimi.

Vjosa Osmani, nga LDK, e ka këshilluar zëvendësministrin Selimi që t’i lexojë deklaratat e dhëna nga Hashim Thaçi gjatë kohës që Hyseni ka qenë ministër, sepse ato kanë qenë plotë lëvdata për Hysenin. Përderisa ka thënë se Selimi duhet ta krahasojë numrin e njohjeve sa ka qenë Hyseni ministër, me numrin e njohjeve që kanë ardhur pas tij.

Sipas saj, është qesharake se si deklarohet Ministria për këtë strategji kohë pas kohe.

"Strategjia për njohjet është jo e plotë për faktin që nuk janë hartuar plane konkrete për shtetet veç e veç. Dhe, e dyta, edhe ato pika që janë hartuar si duhet, Ministria nuk i ka implementuar”, ka thënë Osmani. Ajo ka përmendur premtimin dhe moshapjen e ambasadave të reja të Kosovës në botë, etj.

"Përveç faktit që politika e jashtme është e çakorduar dhe nuk dihet se cila është adresa konkrete e politikës së jashtme të Kosovës, ky proces është dëmtuar edhe me veprime të tjera të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Analisti Avni Zogiani, ndërkaq, thotë se aspekt tjetër që, sipas tij, e komplikon situatën rreth njohjes, e që nuk reflektohet askund dhe as në strategji, është fakti se me fusnotë Kosova është shndërruar në një shtet të çuditshëm. Kjo, sipas Zogianit, e komplikon tepër shumë njohjen, duke qenë se një shtet kur njihet duhet të njihet si shtet i pavarur dhe sovran, e fusnota e ka cenuar shumë këtë mundësi.

E, drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Alban Bokshi, thotë se është problematik vlerësimi i kësaj strategjie, ngase nuk janë bërë publike pjesët e ashtuquajtura sensitive të saj.

"Mund të ndodhë që pjesët kanë qenë vërtet sensitive, por edhe mund të jetë që ato nuk janë publikuar qëllimisht për të lënë hapësirë interpretimi. Pa e ditur përmbajtjen dhe objektivat e qarta është vështirë të gjykohet suksesi i asaj strategjie, se sa janë arritur objektivat e përcaktuara aty. Sidoqoftë, në vitin 2011, ka pasur aktivitete të shtuara lobbuese, si nga MPJ ashtu edhe nga zëvendëskryeministri Pacolli. Rrjedhimisht kemi më shumë njohje në vitin 2011, sesa në 2010 apo 2009”, ka thënë Bokshi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus