Kryesore » 2013 » Nëntor » 29 » Nga veriu varet e ardhmja e KFOR-it në Kosovë
9:56 AM
Nga veriu varet e ardhmja e KFOR-it në Kosovë
Nëse Prishtina dhe Beogradi mund të sjellin paqe dhe qetësi në veri të Kosovës, duke dhënë dëshmi se dialogu ndërmjet tyre po ecën mbarë, atëherë edhe Pakti Veri-Atlantik është i gatshëm që të rishikojë rolin e vet  në Kosovë, tha të enjten gjenerali amerikan me katër yje, Philip M. Breedlove.
Komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Philip M. Breedlove, tha sot në një konferencë për media në aeroportin ushtarak të KFOR-it, në Prishtinë, se reduktimi i mëtejmë i forcave paqeruajtëse në Kosovë, varet nga situata e sigurisë në pjesë veriore.

"Nuk ka reduktim të planifikuar të trupave në këtë kohë për KFOR-in. Ne e kemi thënë shpesh se ajo që ne duam të bëjmë është që, eventualisht, të transformohemi në struktura më të vogla të forcave. Por, këto lëvizje në forca më të vogla të strukturuara, do të varen tërësisht nga kushtet në terren”, tha Breedlove.

Krahasuar me periudhën kur 50,000 trupa paqeruajtëse u stacionuan në Kosovë, me mbarimin e luftës në qershor të vitit 1999, 14 vjet më pas NATO-ja ka dhjetë herë më pak trupa në Kosovë.

Pak ditë më parë, Franca ka marrë vendim që të largojë kontingjentin e saj ushtarak nga KFOR-i, ku 600 trupa pritet të largohen nga misioni.

Gjenerali amerikan, Philip M. Breedlove, thotë se nuk është i habitur me këtë vendim të francezëve, pasi sqaron se i kupton obligimet që ka marrë ky shtet për të siguruar paqen në shtetin Mali dhe në vendet e tjera të Afrikës Qendrore.

Me ndarjen e zonave të përgjegjësisë në vitin 1999, Franca kishte zgjedhur veriun e Kosovës për të siguruar paqen, dhe largimi i paqeruajtësve francez nga ajo pjesë, për gjeneralin amerikan është një boshllëk.

"Ne në Shtabin e NATO-s, bashkë me kombet e tjera, do të fillojmë të adresojmë ndikimet afatgjata [nga ky vendim] dhe se si do të mbulojmë këtë gjë, ne brenda misionit. Tani për tani, kam besim te plani i gjeneralit Farina, që njerëzit e tij, ata burra dhe gra, të cilët do të ngarkohen për të mbuluar këtë hendek”, u shpreh gjenerali Breedlove.

Sipas tij, komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali Salvatore Farina ka një plan shumë të mirë për t’u kujdesur rreth çështjes së veriut, "në një afat të shkurtër” për këtë periudhë transitore.

Thirrja për zgjedhje të qeta

Ushtaraku i lartë i NATO-së theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë është shumë i rëndësishëm, ndërsa i bëri thirrje palëve të përfshira në këtë çështje të tregojnë pjekuri.

Nga rezultati përfundimtar që do të prodhojë ky proces, gjenerali Breedlove thotë se palët duhet të shfrytëzojnë rastin dhe të vazhdojnë tutje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili edhe mundësoi që zgjedhjet të zhvillohen për të parën herë edhe në veri të Kosovës.

"Ajo që mendoj se ne kemi para vetes, është një mundësi e jashtëzakonshme, të cilën e ka sjellë Bashkimi Evropian me marrëveshje [mes Kosovës dhe Serbisë] në krye me baroneshën Catherine Ashton. Ata kanë sjellë një kornizë, e cila do t’i mundësojë Kosovës, dhe në veçanti Mitrovicës së Veriut që të ecin përpara. Dhe, nëse ne shohim përparim, mirëpo një përparim real përgjatë këtyre vijave, atëherë mund të ulemi për të marrë vendime të tilla [të reduktimit të forcës]”, tha gjenerali Breedlove.

Breedlove: FSK-ja s’është ende gati

Gjatë qëndrimit në Kosovë, gjenerali me katër yje, Breeedlove është takuar edhe me disa krerë institucionalë dhe ka bërë një vizitë në kampin amerikan Bondsteel, ku me ushtarët ka ndarë bashkë drekën e "Ditës së Falënderimeve”.

Në takim me politikanët kosovarë, sipas Breedlove, atij i është përmendur edhe ndryshimi i rolit dhe mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shndërrimi i saj në një forcë të rregullt ushtarake.

Mirëpo, gjenerali amerikan, bëri të ditur se palës kosovare i ka thënë se për këtë gjë, ende nuk ka ardhur koha, edhe pse shprehet se është i inkurajuar me efektshmërinë e FSK-së dhe "mundësitë për të ardhmen e saj.”

"Po kemi folur për aspiratat e FSK-së, por nuk jam i gatshëm që të jap asnjë gjykim, nëse kjo forcë duhet të ecë drejt ngritjes së kapaciteteve më të mëdha. Unë i kam bërë thirrje liderëve, dhe mendoj se ata pajtohen me mua, që tani për tani jemi të përqendruar që të vazhdojmë me profesionalizmin, dhe ndërtimin e aftësive për këtë forcë”, porositi Breedlove.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus