Kryesore » 2012 » Shtator » 26 » “Në bisedime edhe Kosova Lindore”
10:27 AM
“Në bisedime edhe Kosova Lindore”
Në kohën kur drejtuesit e shtetit të Kosovës po qëndrojnë në Nju Jork, mes të tjerash për të përcaktuar axhendën e dialogut politik me Serbinë, në Prishtinë opozita vazhdon ta mbajë qëndrimin kundër. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk e sheh as të arsyeshme që Kosova të bisedojë për tema politike me Serbinë."Konsiderojmë se bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar në dialogun e Vjenës. Ne jemi që të bisedojmë me qytetarët e Kosovës duke përfshirë edhe ata të veriut, por jo me Serbinë. Ne me Serbinë mund të bisedojmë vetëm si dy shtete fqinj, ashtu siç mund të bisedojmë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi”, citohet të ketë thënë kryetari i LDK-së në ceremoninë e panairit të artizanalave në Prishtinë.  

Nga ana tjetër, subjekte të tjera politike duket se e shohin punë të kryer që Kosova dhe Serbia do të përfshihen në bisedime politike. Lëvizja për Bashkim kërkon që në këto bisedime të trajtohet edhe çështja e Kosovës Lindore. Përfaqësues të këtij subjekti takuan këtë të martë drejtues të shoqatës "Vatra” nga Lugina e Preshevës.

"Mendoj që kërkesa e popullsisë shqiptare Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë është e ligjshme, është e drejtë dhe duhet mbështetur. Mirëpo, gjithmonë duhet të ketë parasysh mjetet me të cilat kryhet ajo dhe rrethanat në cilat kryhet. Në rrethanat të cilat jemi është shumë e vërtetë se bashkësia ndërkombëtare dhe faktorët relevantë këtu nuk e pranojnë një kërkesë të tillë. Mirëpo, nëse ne flasim për një zgjidhje të veriut dhe ajo zgjidhje të bëhet domosdo në kuadër të Kosovës. Një zgjidhje reciprociteti mund të bëhet edhe për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, e cila do të relaksonte raportet Kosovë-Serbi. Pra, të përdoren rrugët e ndërmjetme të cilat çojnë deri të lëvizja paqësore e kufijve”, u shpreh Avni Klinaku.

Pa dashur të ndërhyjë në mundësinë e shkëmbimit të territoreve, kryetari i shoqatës ‘Vatra’ megjithatë kërkon që në bisedimet Kosovë dhe Serbi të futet në axhendë edhe çështja e Kosovës Lindore.

Sejdullah Kadriu, kryetar i shoqatës "Vatra”, theksoi: "Nëse bisedohet me Serbinë për këto troje, ne kërkojmë që të futet në axhendë medoemos edhe Kosova Lindore, se ajo pjesë i ka takuar gjithmonë Kosovës, gjithmonë ka qenë në sovranitetin në Kosovë”, ka deklaruar Kadriu.

Takimet e perfaqësuesve të Shoqatës "Vatra” janë pjesë e takimeve që ata po zhvillojnë me partitë politike në Kosovë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus