Kryesore » 2012 » Dhjetor » 20 » Natali Velija ka edhe aktakuzë tjetër
4:54 PM
Natali Velija ka edhe aktakuzë tjetër
Natali Velija, e arrestuar muajin e kaluar nën dyshimet për keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në rastin e prodhimit të pasaportave biometrike, ka pasur edhe një aktakuzë të konfirmuar për keqpërdorime fondesh, zbulon gazeta "Jeta në Kosovë”.Natali Velija, pronarja e kompanisë "Consulting EU Sh.P.”, e cila është arrestuar më 12 nëntor për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur 1.4 milion euro në tenderin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për prodhimit të pasaportave biometrike, ka edhe një rast të mëhershëm penal për keqpërdorim të fondeve.Ajo ishte arrestuar në nëntor nën dyshimin se si përfaqësuese e kompanisë austriake "Osterreichische Staatsdruckerei” (OeSD), nuk e kishte transferuar shumën prej 1.4 milion eurosh, të dhëna nga Ministria, sipas kontratës, për OeSD-në.

Gazeta "Jeta në Kosovë” nxjerr në pah se Velija gjatë kohës kur po punonte si përfaqësuese e kompanisë që kishte kontratë me Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte duke u paraqitur në gjykatë, ku po përballej me akuzat e prokurorit publik për keqpërdorimin e 7 400 eurove, të cilat ishin ndarë për renovimin e një shkolle në fshatin Pobërgjë të Deçanit.

Sipas aktakuzës së prokurorit, Velija akuzohet se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare duke keqpërdorur fondet e OJQ-së "Dielli i Kosovës”, në të cilën Velija ishte drejtoreshë.

Aktakuza në fjalë është konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe i është ndarë për t’u gjykuar gjyqtarit Mejdi Dehari.

Sipas të dhënave të prokurorisë, hetimi për Velinë kishte nisur në fillim të vitit 2011, kur Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës kishte paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë.

Në vitin 2007, Velija kishte regjistruar në Kosovë OJQ fondacionin "Dielli i Kosovës”, si organizatë humanitare, me seli në Prishtinë.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, pas pranimit të kallëzimit, i kishte filluar hetimet dhe me 7 qershor 2011 ngre aktakuzën kundër Natali Velisë dhe Gëzim Gegës, që të dy të akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare, ose të autorizimit, të kryer në bashkëkryerje.

Të pandehurit ishin njohur nga mesi i vitit 2010. Atëbotë, Natali Velija kishte kuptuar se i pandehuri Gega kishte një firmë për dyer e dritare nga plastika dhe alumini. Ata më pas, bashkë kishin përpiluar ofertat që i pandehuri Gega të konkurronte në tenderët që shpalleshin nga Velija.

Në aktakuzë thuhet se në vitin 2010, Komuna e Deçanit në organizatën "Dielli i Kosovës” kishte paraqitur dy kërkesa për renovimin e dy shkollave. Bordi i organizatës, kryetare e të cilit ishte vetë Velija, kishte pranuar vetëm njërën nga kërkesat, atë për shkollën fillore "Dëshmorët e Vokshit” në fshatin Pobërgjë.

Në ueb-sajtin e OJQ "Dielli i Kosovës” ishte hapur oferta për ndërrimin e dyerve dhe dritareve, lyerjen e mureve dhe ndërrimin e plastikës për dysheme (linoleumin). Kësaj thirrjeje i ishte përgjigjur Agjencia Austriake për Zhvillim në Prishtinë (ADA), që kishte pranuar që ta paguajë ndërrimin e linoleumit të shkollës.

Natali Velija, pas tenderit të hapur, kishte angazhuar firmën "Ilira” nga Komarani i Drenasit,, ndërsa për punët tjera në shkollë kishte angazhuar kompaninë e të pandehurit tjetër, Gëzim Gega, NTSh "BE-ING” thuhet në aktakuzë.

Për të konkurruar në tenderin e ndërrimit të dyshemesë, kompaninë "Ilira” e kishte shtyrë Gëzim Gega.

Sipas provave që posedonte prokuroria, e të paraqitura në gjykatë, shihet se për shtrimin e dyshemesë së shkollës në fshatin Pobërgjë, kishte një ofertë nga dosja, ndërsa një tjetër ofertë për të njëjtën çështje e prezantoi dëshmitari i këtij rasti, drejtori i kompanisë "Ilira”, A. K..

Dëshmitari A. K., policisë i kishte paraqitur kërkesën që ai i kishte bërë OJQ "Dielli i Kosovës”, e përmbante logon, vulën dhe në fund nënshkrimin e pronarit. Ndërsa kërkesa tjetër që ishte në dosje të lëndës ishte pa logo, por me vulë që dukej e skanuar, dhe një nënshkrim, që sipas dëshmitarit kryesor A. K. ishte nënshkrimi i të pandehurit Gega. Për të gjitha këto ishte e njohur Natali Velija.

Në atë kohë, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) kishte transferuar në konton e OJQ-së së Velisë 7 mijë e 406 euro e 72 cent. Kjo e fundit, paratë menjëherë i kishte transferuar në kompaninë "Iliria”, fituese e tenderit për shtrimin e dyshemesë.

Në dhjetor të 2010, Velija përmes një e-maili e njofton ADA-në se nuk janë kryer punët nga kompania "Iliria”, ndërsa ishte zotuar se do të kërkonte që kjo kompani t’ia kthente paratë për ADA-n e Austrisë.

Por, në gusht të vitit 2010, kur kompania "Iliria” i kishte pranuar paratë në konton e saj, i pandehuri Gëzim Gega i kishte thënë dëshmitarit A. K. që ato para duhet t’ia transferonte atij, pasi që linoleumi nuk po shtrohej dhe se atij i duheshin për dyer dhe dritare, thuhet më tutje në aktakuzë.

Shuma e transferuar te dëshmitari A. K. ishte 9 mijë e 258 euro. Ky i fundit i kishte transferuar 9 mijë euro te i pandehuri Gega, duke shkruar në fletë-pagesë se atë po e bënte për dritare.

"Me këto veprime të pandehurit Natali Velija dhe Gëzim Gega, duke e shpërdorur detyrën zyrtare dhe në bazë të një marrëveshje paraprake, kishin bërë të mundur që të fitonin tenderin me mjetet e agjencisë ‘ADA’, mbi bazën e një dokumenti të falsifikuar dhe duke e mashtruar dëshmitarin A. K.”, thuhet në aktakuzën e nënshkruar nga prokurori Lulzim Sylejmani.

Më tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitari është mashtruar se nuk do të shtrohet linoleumi në shkollë, ndërsa paratë do të shfrytëzohen për pagesën e dritareve. E më këtë, shkolla kishte mbetur pa linoleum, ndërsa ishte dëmtuar Agjencia Austriake për Zhvillim "ADA”.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë pasi që kishte pranuar aktakuzën më datën 9 qershor 2011, e kishte caktuar tek gjykatësi i konfirmimit, Vehbi Kashtanjeva, i cili më 4 tetor 2011 e kishte konfirmuar atë.

Aktakuza e konfirmuar i ishte caktuar gjykatësit Mejdi Dehari, por për shkak të numrit të madh, gjykatësi nuk kishte mundur ta caktonte lëndën që nga 26 tetori, kur edhe e kishte pranuar atë.

Aktualisht, gjykatësi Dehari është i suspenduar. Në seancën e konfirmimit, të mbajtur në tetorin e 2011-së, e pandehura Natali Velija e kishte kundërshtuar në tërësi aktakuzën e prokurorit. Ajo në atë seancë kishte thënë se "në asnjë mënyrë nuk e ka keqpërdorur pozitën zyrtare si drejtoreshë e OJQ fondacionit ‘Dielli i Kosovës’”.

Ajo kishte pranuar se i kishte marrë paratë nga agjencia ADA, por ato i kishte transferuar te NTSH "Iliria”, kompani e kontraktuar për shtrimin e dyshemesë. Ajo tregon edhe për afatin prej tre muajsh që kishte pasur kjo kompani në shtrimin e dyshemesë, por që, sipas saj, ishte vonuar.

"Unë nuk kam përvetësuar kurrfarë mjete në mënyrë të kundërligjshme. Fondacionit ia kam kthyer ato”, ka thënë Natali Velija, para gjykatësit të konfirmimit.

Avokati i Velisë, po në seancën e konfirmimit të aktakuzës kishte paraqitur para gjykatësit edhe faturën që tregonte se të gjitha parat i ishin kthyer agjencisë ADA.

I pandehuri tjetër, Gëzim Gega, po ashtu e ka kundërshtuar aktakuzën në seancën e konfirmimit. Ai ka thënë se "nuk ka bërë ndonjë falsifikim siç është përshkruar në aktakuzë, për ta fituar projektin e shkollës në Pobërgjë”.

Ndërsa lidhur me mjetet, ai ka thënë se nuk i kishte keqpërdorur ato, por i kishte marrë nga dëshmitari A. K., pronar i kompanisë "Iliria”.

Vetë përfaqësuesi i agjencisë austriake në Prishtinë, në këtë seancë konfirmimi kishte deklaruar se i bashkëngjitet aktakuzës, por e kishte lajmëruar gjykatën se paratë i ishin kthyer agjencisë.

Gazeta ka kontaktuar me avokatin Nuhi Paçarizi, i cili e ka përfaqësuar në këtë lëndë Velinë. Avokati ka konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtin person të arrestuar (si në rastin e pasaportave), mirëpo ai nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, për shkak se i mungon autorizimi. "Nuk mund të flas, nuk kam autorizim”, tha ai.

Sipas Christian Geosits, përfaqësues i ADA-s për Kosovë, rasti është mbyllur për këtë organizatë. "Për ADA-n rasti është i mbyllur. Ne i kemi marrë fondet në shtator 2011”, tha Geosits. "Rasti penal është çështje e prokurorisë dhe gjykatës”.

Natali Velija, së fundi, është edhe protagonistja kryesore në humbjen e 1.4 milionë eurove të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas vlerësimeve fillestare dhe hetimeve të para nga Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht nga prokurorë të EULEX-it dhe prokurorë vendas, del se Velija ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka përvetësuar shumën prej 1.4 milion eurosh që është dashur të transferohet te një kompania austriake që prodhonte pasaportat biometrike për Ministrinë.

Velija gjendet në paraburgim, së bashku me dy persona të tjerë për këtë çështje. E njëjta pasi që i është caktuar paraburgimi kishte kërkuar që të shpallet nga gjykata dëshmitare bashkëpunuese, por një gjë e tillë ishte refuzuar.

Velija më pas kishte paraqitur në prokurori edhe dokumente me të cilat ajo ishte e autorizuar nga firma austriake që të veprojë në Kosovë në emrin e saj. Ajo tani pretendon se të gjitha 1.4 milionët i ka transferuar në kontot e zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një zyrtari të Ambasadës Austriake në Kosovë, ashtu siç i kishte e kishte udhëzuar kompania austriake OeSD.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus