Kryesore » 2012 » Mars » 28 » Naftëtarët kërcënojnë Express'in me hedhje të bombës – reagon AGPK
3:31 PM
Naftëtarët kërcënojnë Express'in me hedhje të bombës – reagon AGPK
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka marrë me shqetësim njoftimet se persona të panjohur kanë kërcënuar se do të hedhin bombë në lokalet e të përditshmes "Express”. Gjatë gjithë paradites të së mërkurës persona të ndryshëm që janë prezantuar si përfaqësues të naftëtarëve kanë kërcënuar se do të "hedhin gazetën në erë”, pas publikimit të një artikulli ku njoftohet se MTI ka dënuar kompanitë Petrol Company, Baci Kompani, Delta Group, Rek Oil, Agro Kabashi, Usa Sh.p.k, kompania Kastrati dhe NP Pajtimi për cilësi të dobët të karburanteve.AGPK i bënë thirrje Policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe të gjitha institucioneve tjera të drejtësisë që të zbardhin këto kërcënime.AGPK dënon fuqishëm këtë akt dhe çdo lloj kërcënimi që iu bëhet gazetarëve për shkak të kryerjes së punës së tyre. AGPK konsideron se kërcënimi i gazetarëve paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë.
Pompat e Ujit?
Petrol Company, Baci Kompani, Delta Group, Rek Oil, Agro Kabashi, Usa Sh.p.k, kompania Kastrati, NP Pajtimi dhe disa kompani tjera janë dënuara nga Ministria e Tregtisë nën dyshimet se kanë shitur karburante të përziera me ujë. Naftëtarët nuk pajtohen me këto dënime.

Gjobës për shitje të naftës jocilësore nuk i shpëtuan as naftëtarët më të mëdhenj të vendit.

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, për shkak të shitjes së naftës jocilësore, vendosi që t’i gjobisë edhe kompanitë më të mëdha që merrem me shitjen e karburanteve.

Në listën që ka siguruar Gazeta Express, kompanitë e gjobitura janë Petrol Company, Delta Group, Baci Kompani, Agro Kabashi, Rek Oil, Usa Sh.p.k, NP Pajtimi e kompania Kastrati. Këta naftëtarë janë gjobitur nga Inspektorati i MTI’së, për shkak se ishin zënë duke shitur naftë në kundërshtim me Udhëzimin administrativ për cilësinë e naftës, të cilin kjo ministri e kishte fuqizuar qysh në tetor të vitit të kaluar.

Sipas dokumentit që ka siguruar Express, të gjitha këto kompani tash janë në procedurë për kundërvajtje, pasi në bazë të analizave të bëra nëpër laboratorë ka dalë se ato kanë vazhduar të shesin naftë jocilësore.

"Petrol Kompania, Baci Kompani,Delta Group, Rek Oil, Usa Sh.p.k, Agro Kabashi, kompania Kastrati, NP Pajtimi janë kompanitë e gjobitura për shkak të shitjes së naftës në kundërshtim me Udhëzimin administrativ për cilësinë e naftës të MTI’së”, thuhet në dokumentin që ka siguruar gazeta.

Deri të ky vendim për gjoba, Inspektorati kishte ardhur, pas përfundimit të analizave në laboratorët e caktuar për këtë punë.

Shkëlqen Jusaj, drejtor i Petrol Company, në një bisedë për Express, thotë se kualiteti i karburanteve që ai shet është në rregull. Për të kundërshtuar edhe gjobën që ka marrë, ai tha se ka bërë edhe ankesë, duke kërkuar verifikim të mostrave edhe në një laborator tjetër.

"Ne nuk pajtohemi për shkak se ne kemi verifikuar produktin tonë në disa laboratorë derisa ka ardhur puna te shitja dhe kualiteti i produktit ka qenë në rregull”, thotë ai, duke shtuar se nuk është e mundur që analizat në një laborator të jenë në rregull e vetëm në laboratorin e caktuar të mos dalin në rregull. Ai shpreson që të verifikohen analizat dhe është i sigurt se gjithçka do të dalë në rregull.

Madje, sipas tij, nuk është problemi vetëm te kompania e tij.

"Nuk është faji vetëm te kompania jonë, sepse të gjitha kompanitë kanë bërë ankesë për të njëjtën gjë, për shkak të një gabimi atje, qoftë nga infrastruktura e tyre, ose metoda e tyre që përdorin”, thotë Jusaj.

Sipas dokumentit, thuhet se për kompanitë Petrol, Np Pajtimi, Prishtinë, Agro Kabashi, Rek Oil në Obiliq, Kompania Kastrati në Klinë, Delta Group, Baci Kompani, brenda afatit ligjor merren edhe masat për kundërvajtje.

Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe i Industrisë, deri më tash ka shqiptuar 66 gjoba ndaj kompanive që merren me shitjen e karburanteve.

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka pranuar se ka raste kur kualiteti i naftës nuk është në përputhshmëri me udhëzimin administrativ. E për këtë ajo tregon se kjo ministri ka shqiptuar edhe gjoba.

E për shkak të tregtimit të naftës së keqe, ministrja ka thënë se do të fillojnë me kontrolle pa paralajmërim, në mënyrë që ta largojnë nga tregu naftën e keqe.

"Shumë shpejt do të fillojmë me kontrolle jashtë planit të monitorimit, të cilat përfshijnë kontrolle pa paralajmërim të subjekteve, gjegjësisht vizita ad hoc si në pikat me shumicë, ashtu edhe në ato me pakicë”, thotë ministrja, duke bërë të ditur se kjo metodë shtesë po bëhet për të verifikuar kualitetin e naftës, pasi sipas saj, në planin e monitorimit operatorët janë të informuar për vizitat.

Kusari-Lila pohon për Express se metodat shtesë të kontrolleve po bëhen për shkak të eliminimit të veprimtarisë së disa subjekteve, që ende po manipulojnë me cilësinë e naftës.

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, gjatë vitit të kaluar, kishte fuqizuar Udhëzimin administrativ për cilësinë e karburanteve të naftës, me të cilin kërkohej ngritja e kualitetit të derivateve të naftës në tregun vendor.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus