Kryesore » 2012 » Maj » 3 » Molina: Ahtisari Plus mund ta bind Spanjën që ta njoh Kosovën
5:16 PM
Molina: Ahtisari Plus mund ta bind Spanjën që ta njoh Kosovën
Eksperti spanjoll i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Instituti ELCANO në Madrid, Ignacio Molina, tha se nuk pritet që Spanja, së shpejti, të ndryshojë qëndrimin për njohjen e Kosovës. Në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, ai tha se duhet diçka e re, si Ahtisari Plus, për ta bindur diplomacinë spanjolle që të ndryshojë qëndrim.
Radio Kosova: Sa ndikojnë problemet e brendshme të Spanjës, nëse iu referohemi problemeve me baskët dhe Kataloninë, në mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Spanja?

Ignacio Molina: Arsyeja e vërtetë që Spanja nuk a ka njohur Republikën e Kosovës që nga viti 2008, është kombinim i të paktën dy faktorëve të ndryshëm. Në njërën anë, kemi problemet e brendshme të Spanjës, në veçanti problemet me baskët dhe Kataloninë, të cilat gjithnjë zënë vend të lartë në agjendën politike të Spanjës. Periudha gjatë viteve 2003-2008 ka qenë mjaft e ndjeshme për Spanjën, lidhur me baskët dhe Kataloninë, dhe në kohën kur Kosova shpalli Pavarësinë më 2008, kjo ka qenë shumë e ndjeshme për Spanjën. Prandaj, Spanja është e ndjeshme ndaj çdo shpalljeje të pavarësisë kudo në botë, e sidomos nëse ajo është shpallje e njëanshme. Politika e jashtme e Spanjës duhet të jetë e pavarur nga zhvillimet e brendshme, por ja që nuk është e tillë. Për diplomatët spanjollë politika e jashtme varet shumë nga zhvillimet e brendshme.

Radio Kosova: A mund të flitet për marrëdhënie të veçanta midis Serbisë dhe Spanjës, të cilat mund të ndikojnë që Spanja të mos e njohë shtetin e Kosovës?

Ignacio Molina: Jo në fillim. Më 2008 Spanja nuk e honepste fare Serbinë. Por në kohën kur Spanja nuk e njohu Pavarësinë e Kosovës, atëherë fillimi i marrëdhënieve të veçanta midis këtyre dy vendeve për Spanjën nisi të kishte kuptim. Pra, Spanja filloi të zhvillojë një ide për një rol që ajo mund të ketë brenda BE-së, në drejtim të Ballkanit, rajonit dhe Serbisë. Dhe tani, deri në një shkallë, Spanja e di që ka influencë në politikën e Serbisë, për shkak të pozicionit karshi Pavarësisë së Kosovës. Spanja dëshiron ta përdore këtë lidhje të veçantë me Serbinë, por nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur.

Radio Kosova: Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës që Spanja – edhe nëse nuk e njeh Pavarësinë Kosovës, të paktën të zbus qëndrimin e saj në këtë drejtim?

Ignacio Molina: Epo, e vërteta është se që nga viti 2010 kur ish- ministri i Jashtëm, Moratino, u largua nga pozita, tani më Spanja është një mosnjohëse më konstruktive e Pavarësisë së Kosovës. Që nga 2008 deri më 2010, Spanja kishte një mohim më të shprehur kundër Pavarësisë së Kosovës, por që nga 2010, Spanja është më pragmatike, më konstruktive. Spanja nuk është kundër Kosovës, por i nevojitet një arsye e re për të ndryshuar vendimin e saj. Spanja nuk do të njohë Kosovën nesër. Spanja ka nevojë për një marrëveshje të re, duke përfshirë Serbinë dhe natyrisht BE-në, për të ndërruar pozicionin. Spanja, me siguri, dëshiron të ndërrojë pozicionin e saj; Spanja, me siguri dëshiron ta njohë Pavarësinë e Kosovës, por i duhet një arsye për ta bërë këtë. Çfarë lloj arsyeje? Epo, për Spanjën aspekti më problematik lidhur me Pavarësinë e Kosovës është deklarimi i njëanshëm i Pavarësisë. Spanja e di që Kosova është shtet i pavarur, dhe natyrisht se, ajo nuk do të kthehet kurrë nën Serbinë. Por, Spanja mendon se duhet të ketë marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që Spanja ta ketë më të lehtë për të bindur spanjollët se Pavarësia e Kosovës nuk është e njëanshme. Kjo është mjaft e komplikuar. Nga perspektiva ime, Kosova tani është me fleksibile, në veçanti me marrëveshjet e reja të nënshkruara me Serbinë, çështja e fusnotës etj., duhen parë si progres që ka arritur rajoni dhe, me siguri që, Spanja do të mbështes të arriturat e atilla. Por, unë mendoj se duhet diçka e re, Ahtisari Plus, që ta bindë diplomacinë spanjolle për të ndryshuar qëndrim.

Radio Kosova: A mund të shihet Spanja si kërcënim për procedurat integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian?

Ignacio Molina: Po, në këto momente do të thosha që deri në një masë Spanja mund të shihet si kërcenim për proceset integruese të Kosovës në BE. Spanja po mundohet të garantojë që BE-ja e konsideron Kosovën si një vend – statusi i secilës nuk është i përcaktuar. Pra, Spanja është e gatshme, dhe bashkëpunimi me Kosovën është i domosdoshëm, EULEX-i është i domosdoshëm. Por çdo lëvizje në negociatat Bruksel –Prishtinë, mund të dërgojë sinjale se Spanja, si njëra nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh Pavarësisë e Kosovës, është duke e bërë këtë në mënyrë indirekte, atëherë kjo është diçka që Spanja nuk mund ta pranojë. Prandaj, është mirë që të zhvillohen disa bisedime, madje dhe simbolike, prej të cilave do të bindej Spanja, për produktin final – Pavarësinë e Kosovës, por që Serbia të përfitonte nga një marrëveshje e re, që përfshin kishat dhe manastiret ortodokse, serbët e veriut. Të jemi të qartë: Spanja nuk mbështet asnjë ide për ndërrim të kufijve. Veriu i Kosovës duhet të mbetet me Kosovën. Por çështja është sesi duhet t’i trajtojmë qytetarët në veri, kishat ortodokse, manastiret, në mënyrë që Serbia ta pranojë atë marrëveshje, edhe pse nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që pastaj Spanja ta pranojë se kjo është një marrëveshje e arsyeshme dhe pastaj ta mbështes Kosovën si shtet të pavarur. Por, tani për tani, për fat të keq, Spanja mund të shihet si kërcenim për integrimin e Kosovës në BE.

Radio Kosova: Meqë Spanja është vendi më i madh, në mesin e pesëshes evropiane që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, dhe duke marrë në konsideratë lidhjet që i ka me vendet e Amerikës Latine, vlerësoni që nëse Spanja ndërron pozicion në favor të Pavarësisë së Kosovës kjo mund të ketë ndikim edhe në vendet e sipërpërmendura?

Ignacio Molina: Me siguri po. Jo ndoshta në të gjitha vendet e Amerikës Latine, sepse kjo e fundit përfshinë shumë shtete, por mendoj se mund të ketë ndikim në Meksikë, Kili dhe në disa vende të Amerikës Qendrore. Në këto vende, absolutisht, ndryshimi i qëndrimit të Spanjës do të ketë ndikim. Por, në vendet tjera si në: Argjentinë, Brazil, Venezuelë apo Kubë, është më e vështirë të prejudikohet nëse mund të ketë ndikim ndryshimi i qëndrimit të Spanjës, karshi shtetësisë së Kosovës. E, në anën tjetër, është e vërtetë se Spanja është shteti më i madh në mesin e pesëshes evropiane që nuk e ka njohur Kosovën. Sipas mendimit tim, Greqia është e para ajo që do të shkojë në favor të Pavarësisë së Kosovës, Qiproja është shumë vështirë që do ta njohë, madje ajo ka deklaruar se edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, Qiproja nuk do ta njohë. Por, sa i përket Sllovakisë dhe Rumanisë, është mjaft e dukshme që në rast të ndryshimit të pozitës së Spanjës – atëherë edhe këto dyja mund të ndryshojnë në favor të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë rast do të thosha: po.

Radio Kosova
: Mund të presim që në një të ardhme të afërt Spanja mund të ndryshojë pozitën e saj karshi Republikës së Kosovës?

Ignacio Molina: Do të mundohem të jem optimist. Nëse më pyesni se a do ta njohë në një të ardhme të afërt – atëherë do të them jo. Por, nëse flasim për një afat të mesëm kohor, atëherë do të them se pozicioni i Spanjës është i paqëndrueshëm – në periudhë afatmesme. Ajo çfarë Spanja duhet të bëjë tani, menjëherë, është ta rikonsiderojë se cila është mundësia më e mirë që ta ndërrojë pozicionin në një periudhë afatmesme. Kjo mund të nënkuptojë që Spanja ta ndihmojë Serbinë të avancojë në bisedime me Brukselin, apo të jetë më aktive në vendosjen e ndonjë marrëveshjeje të re. Nuk mund të presim që Spanja do ta ndryshojë pozicionin e saj brenda natës, por ajo që mund të presim është një premtim për ndryshime graduale, deri në pikën kur për Spanjën do të jetë e pamundur që mos ta njoh Republikën e Kosovës. Unë do të thosha se kjo nuk do të ndodhë para 3 -4 vjetëve, por brenda kësaj kohe mund të presim ndryshim të qëndrimit të Spanjës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus