Kryesore » 2012 » Mars » 25 » Migrimi dhe të rinjtë (+AUDIO)
3:10 PM
Migrimi dhe të rinjtë (+AUDIO)
Perspektiva ose jo për një jetë më të mirë në Kosovë, i vë para dilemave të rinjtë që të rrinë apo të kërkojnë alternativa jashtë vendit. Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, disa të rinjtë thonë se Kosova është vendi më i bukur, ka resurse të mjaftueshme që siguron një perspektivë në të ardhmen, ndërsa të tjerë shprehen se për një perspektivë më të mirë, do ta braktisin vendin.Kaltrina Krasniqi, është studente në Fakultetin Ekonomik. Ajo nuk dëshiron të migrojë jashtë vendit. Kosova për Kaltrinën është vendi më i bukur dhe më i pasur në krahasim me shumë vende të botës."Në rend të parë është vendi im, ku gjithçka duket bukur. Pastaj, kam familjen këtu. Mendoj se të ardhmen e kam këtu dhe nuk mendoj se është zgjidhje të lëshojmë vendlindjen”, thotë Kaltrina. 

Remi, i riu tjetër nga Prishtina, është shitës ambulant në qendër të kryeqytetit. Ai tregon se, edhe pse nuk ka përfitime të mëdha materiale nga puna e tij, nuk e konsideron arsye as të mendojë që një ditë ta braktisë Kosovën.

"Jo nuk e lëshoj Kosovën kurrë, dua të jetoj në vendlindjen time. Të mira nuk ka shumë, por nuk e braktisi vendimin tim”, shprehet Remi.

Nuk ekziston ndonjë arsye që e bind edhe Tringa Dançën, që të migrojë në vende të ndryshme të botës:

"Kosova, për momentin, edhe pse e ka një ekonomi jo shumë të zhvilluar, është vendi më i mirë, sepse ka një tokë të pëlleshme që mund të zhvillohet në të ardhmen. Dhe, nëse ne nuk dëshirojmë të qëndrojmë dhe të punojmë për vendin tonë, nuk ka kush të punojë për ne. Kjo është arsyeja”.

Arbenita Berisha, rreth 20 vjeçe, studente në Universitetin e Prishtinës, thotë:

"Jo asnjëherë. Kur i kemi kushtet e mira këtu, pse të largohem?! Punoj, jam në fakultet dhe nuk mendoj që ta braktisi Kosovën”.

Por, ndryshe mendojnë disa të rinj të tjerë. Mungesa e perspektivës për të ardhmen ka ndikuar që disa qytetarë të interesohen që të ikin nga Kosova, për të kërkuar alternativa tjera në vende të ndryshme të botës.

Njëri prej tyre është Asllan Bllaca, student në Fakultetin e Edukimit. Ai konsideron se politizimi i popullatës dhe pamundësia për të gjetur një vend pune në bazë të kritereve të caktuara, është arsyeja e interesimit që të migrojë jashtë vendit.

"Jo shumë materiale, por politizimi i popullatës dhe pamundësia për t’u inkuadruar në profesion, ose çfarëdo në jetë, nëse nuk e ke librezën e ndonjërës nga partitë e mëdha politike, është e pamundur të punësohesh diku”, shprehet Bllaca.

Kosova ballafaqohet me kushte të rënda socio-ekonomike, rrjedhimisht me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, thotë Nevaip Luri, rreth 25 vjeç. Kështu që, po të kishe të sigurt një vend pune në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, Nevaipi thotë se Kosovën do ta lëshonte për një periudhë të shkurtër kohore.

"Varet prej situatës, prej kushteve, nëse më ofrohet diçka të punoj jashtë, do të iki nga Kosova. Edhe jashtë profesionit tim, kisha shkuar të punoj”, shprehet Nevaipi.

Ndërsa, Asdren Tahiri thotë se po t’i jepej mundësia, me dëshirë do shkonte në Angli për të studiuar:

"Studimet në Kosovë janë shumë të dobëta. Për të dyja, edhe për punë dhe për studime do të shkoja në Angli. Së pari këtu nuk ka perspektivë, nuk ka përparësi, pa të njohur nuk ka asgjë”.

Edhe Viktor Shala, thotë se me dëshirë do të migronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Përmirësime në Kosovë ka në fusha tjera, por jo në universitet. Nuk do ta braktisja Kosovën për tërë jetën, por për një periudhë të shkurtër, sa zgjasin studimet. Kam dëshirë të avancohem në aspektin profesional”, thotë Viktori.

Por, me gjithë faktin se qytetarët interesohen të lëshojnë Kosovën, prej vitit 2000 e deri më tash, vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim mbi 52 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kishin lëshuar në vitet ‘90.

Parandalimi i migrimit është një ndër parakushtet e Bashkimit Evropian për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon lirinë e lëvizjes në zonën e bardhë të Shengenit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus