Kryesore » 2012 » Prill » 21 » Mediat Kanë Përgjegjësi Penale
6:57 AM
Mediat Kanë Përgjegjësi Penale
Përgjegjësia penale e mediave ka mbetur në projektkodin penal të ri të Kosovës, të miratuar nga deputetët të premten, ndonëse ishte në mesin e pikave të kundërshtuara nga shoqëria civile dhe që ishin hequr në muajin shkurt nga grupi punues i ngritur nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës. Një nga nenet problematike të projektkodit penal të ri të Kosovës, të kundërshtuara nga shoqëria civile dhe fillimisht të hequra nga një grup punues parlamentar, është rikthyer dhe është miratuar të premten nga legjislatura e vendit.Sipas votimit elektronik, 86 deputetë ishin të pranishëm, nëntë nga të cilët kanë votuar kundër dhe 1 ka abstenuar.Bëhet fjalë për një nen me të cilin parashihet përgjegjësia penale e kryeredaktorëve, redaktorëve dhe të tjerëve. Edhe dy nene tjera - një që pamundësonte mbrojtjen e burimeve në disa raste të rregulluara dhe një tjetër që e linte shpifjen brenda kodit penal - ishin kundërshtuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, deputetë dhe organizata të tjera të shoqërisë civile dhe kanë arritur të mos jenë në versionin e miratuar nga Kuvendi.

"Përfundimisht Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur të mos aprovojë amendamentet tona (të Komisionit për Legjislacion) të cilat kanë qenë në përputhje të plotë me kërkesat e gazetarëve dhe shoqërisë civile”, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj.

Vetë Zemaj, sipas votimit elektronik që e posedon gazeta, në fund ka votuar për ketë ligj të premten.

Edhe deputetja e "Vetëvendosjes” Alma Lama ka kritikuar këtë votim.

"I tërë procesi i votimit është përcjellë me rrëmujë dhe me shkelje të procedurave. Kam kërkuar fjalën dhe nuk ma kanë dhënë. Unë mbrojta propozimet e mija që të hiqen neni 37 dhe neni 38 me aq sa pata mundësi. Shumica prej tyre (deputetëve) as që kuptonin se për çfarë bëhej fjalë”, tha ajo.

"Biles, ndodhi që njëherë të kalojë amendamenti 5 dhe pastaj u kthye në rivotim. Është shkelje e procedurave por këtu gjithçka ndodh”, u shpreh Lama, ish-gazetarja e cila nuk figuron fare në listën e votimit të kodit pasi e kishte lëshuar sallën në shenjë proteste.

Edhe kryetari i grupit punues për këtë projektkod, Behar Selimi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka votuar për versionin e miratuar të kodit ndonëse kishte premtuar se këto dy nene nuk do të kalonin.

Tetë deputetë të "Vetëvendosjes" dhe Rada Trajkovic kanë votuar kundër, ndërsa Xhevdet Neziraj ka abstenuar.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) në një reagim të tij të premten është shprehur se "projektkodi, ashtu siç është votuar nga Kuvendi i Kosovës, përdhunon, shkel dhe pamundëson Lirinë e Shtypit”.

"Projektkodi Penal i Republikës së Kosovës, i sapovotuar nga Kuvendi i Kosovës, është veprim antidemokratik dhe i paparë në asnjë vend me standarde evropiane, të cilat pretendon t`i arrijë Kosova”, thuhet në deklaratë.

AGPK thotë se ka rekomanduar që Neni 37, i cili flet për përgjegjësinë e autorëve, kryeredaktorëve, botuesve dhe të tjerëve, të largohet nga Projektkodi Penal.

"AGPK i bën thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të kthejë këtë ligj prapa në Kuvendin e Kosovës dhe të mos e nënshkruajë një akt që fundos demokracinë dhe Lirinë e Shtypit”, thuhet në reagim.

Edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka kërkuar që ky ligj të mos hyjë në fuqi dhe mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë që janë të pranishëm në Kosovë që të mos lejojnë një gjë të tillë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus