Kryesore » 2012 » Korrik » 27 » Makolli, 120 mijë euro për vetura
3:09 PM
Makolli, 120 mijë euro për vetura
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka vendosur të shpenzojë mijëra euro në blerje të veturave. Blerjen e veturave kësaj ministrie do t’i kushtojё mbi 120 mijë euro. Tenderi për blerjen e tyre është ndarë nё tri loto, dy nga tё cilat i ka fituar "Mercom Company” ngaPrishtina dhe njërën kompania "Porche Kosova” nga Prishtina. Lidhur me blerjen e këtyre veturave nuk ka pranuar të flasë askush nga MeD.Shpenzimet nё luks nuk kanë të ndalur. Institucionet qeveritare nuk po kursejnë hiq kur është puna për të blerë vetura luksoze. Radha këtë herë për shpenzime të tilla i erdhi edhe Ministrisë sё Diasporës, e drejtuar nga ministri Ibrahim Makolli.

Kjo ministri ka vendosur që sivjet t'i shpenzojë mbi 120 mijë euro për blerjen e veturave. Tenderin për furnizim me automjete për nevojat e MeD e ka fituar kompanitë "Mercom Company” dhe "Porche Kosova”. Kёtë tender Ministria e Diasporës e ka ndarë nё tri loto, duke i dhёnë vetes mundësi qё të përzgjedhё marka të ndryshme të veturave.

Loton e parë nё vlerë 35,261.00 euro, e ka fituar kompania "Porche Kosova” derisa në garë ishin katër kompani. Kurse, loton dy në vlerë 51,000.00 euro, e ka fituar kompania "Mercom Company” derisa nё garë ishin pesë kompani.

Ministria e Diasporës këtë kompani e ka shpërblyer edhe me loton tre, e cila ka vlerën 34,710.00 euro edhe për kёtë tender nё garë ishin gjithsej pesë kompani. Ministria e Diasporës ka bëre përpjeke për të blerë vetura tani e disa muaj, por këto përpjekje i janë ndalur në gjysmё, pasi i kanë dështuar tenderët dy herë radhazi.

Gazeta "Lajm” i ka dërguar pyetje Ministrisë sё Diasporës për ta ditur se cili është tipi i veturave dhe sa vetura do tё blihen me këto para.

Por, për pyetjet Sa vetura i ka blerë Ministria juaj? Cila është marka e veturave? Cilat kompani tjera kanë qenë në garë për kёtë tender?, gazeta nuk ka marrё asnjë përgjigje nga zyrtaret e kësaj ministrie.

Për blerjen e këtyre veturave drejtori i organizatës "Çohu”, Avni Zogiani, thotë se ato po bëhen edhe pa pasur asnjë planifikim buxhetor dhe, sipas tij, tenderët po shpallen në bazë të marrëveshjeve që po i bëjnë kompanitë me institucionet.


"Organizatat buxhetore këto shpenzime dhe këta tenderë po i bëjnë në varësi të kompanive që u kërkojnë. D.m.th, del një kompani ua kërkon ta bëjnë një pazar dhe kështu përfundon.

Nga momenti që nuk ekziston një palë e paraparë dhe që kish pёr t’i evidentuar nevojat që i kanë institucionet, mendoj që krijohet potencial për manipulim”, ka thënë Zogiani. Ai madje thotë se edhe hezitimi i tyre për mos të dhënë përgjigje nga ministria, lë të kuptojë se ky tender është dhenë jo në mënyrë të rregullt.

Blerja e veturave nga institucionet qeveritare nga fillimi i këtij viti e deri me tani ka vazhduar. Disa ministri dhe komuna brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti veç kanë kryer blerjen e tyre. Për blerjen e veturave këto institucione së bashku kanë shpenzuar rreth 800 mijë euro. E, një shumë e tillë pritet të shpenzohet edhe në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, pasi që kjo gjendet në planifikimet buxhetore të institucioneve qeveritare dhe komunale.

Deri tani 800 mijë euro

Deri tani "Lajm” ka raportuar se për vetura kanë shpenzuar mijëra euro këto institucione. Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Ramë Buja, ka shpenzuar rreth 200 mijë euro.

Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Mimoza Kuasri-Lila, ka shpenzuar 165 mijë euro dhe këtë e kishte fituar. Ministria e Administratës Publike e udhëhequr nga Mahir Yagçilar, ka shpenzuar fiks 99, 596. 00 euro.

Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr Ferid Agani, ka shpenzuar 64.200.00. Edhe ministri Nenad Rashiq që udhëheq me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për blerje të veturave, ka shpenzuar rreh 64 mijë euro.

Ndërkaq, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, për blerjen e veturave për këtë ministri, ka shpenzuar 58,200.00 euro. Dhe, sё fundmi, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka vendosur të shpenzojë mijëra euro në blerje të veturave mbi 120 mijë euro.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus