Kryesore » 2012 » Shtator » 6 » Luft për atifeten
12:00 PM
Luft për atifeten
Deklaratat e Hajredin Kuçit se LDK’ja po sillet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Presidentes sikurse Serbia me pavarësinë e Kosovës, kanë nxitur reagimin e deputetit Arben Gashi. Ky zyrtar i partisë më të madhe opozitare ka thënë se krahasimet e Zëvendëskryeministrit janë papërgjegjësi mendore, intelektuale dhe profesionale. Raportet mes PDK’së dhe LDK’së po vazhdojnë të keqësohen për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes për Presidenten Jahjaga.Zyrtarët e dy partive kanë filluar të bëjnë kualifikime të ashpra për njëra - tjetrën. Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi ka thënë se veprimet e LDK’së u ngjajnë atyre të Serbisë, ndërsa deputeti i LDK’së, Arben Gashi ka thënë se krahasimet e tilla janë papërgjegjshmëri mendore, intelektuale dhe profesionale e Zëvendëskryeministrit.

Kuçi e ka krahasuar idenë e LDK’së për të kërkuar interpretim prej Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Jahjagës, të njëjtë me idenë e Serbisë, e cila pati kërkuar interpretim prej Gjykatës Ndërkombëtare rreth ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në Hagë.

"Në momentin që propozimi për mandatin e Presidentes ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese - kjo është e rëndë që po e them, i ka përngjarë - që edhe Serbia ka kërkuar për pavarësinë e Kosovës a ka qenë e ligjshme apo jo. Nuk është dashur të shkojë, edhe pse ka ndodhur kjo, eja dhe ulemi bisedojmë”, ka thënë Kuçi në Klan Kosova.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se mandati i Presidentes nuk mund të shkurtohet, ndërsa përgjigjja e Hagës është se pavarësia e Kosovës nuk është e jashtëligjshme.

Partitë politike patën arritur marrëveshje në prillin e vitit të kaluar për të zgjedhur Atifete Jahjagën në krye të Shtetit, ndërsa pas ndryshimeve kushtetues dhe zgjedhore të shkohet në zgjedhje.

Marrëveshja ka rënë poshtë për Presidenten, kur Gjykata Kushtetuese ka lëshuar aktgjykimin se nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese nuk mund të shkurtohet mandati i Jahjagës.

PDK’ja e ka përkrahur vendimin e Gjykatës, kurse LDK’ja po kërkon zbatimin e marrëveshjes si kusht për t’i përfunduar ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat po i bojkoton.

Në këtë situatë, sipas Hajredin Kuçit, partneri i dikurshëm i PDK’së, LDK’ja s’po di se çka po dëshiron.

"Nuk e kanë definuar çka dëshirojnë: tërheqjen prej reformës zgjedhore për çka? Duan të mbajnë zgjedhje, apo tërhiqen prej reformës zgjedhore”, ka pyetur ai dhe ka dhënë vetë përgjigje.

"LDK’ja ka kaluar në një pozitë sikur ata lojtarët që e kanë humbur lojën dhe thonë se i ka fajet ose topi, ose fusha, se nuk ishin mirë. Topi dhe fusha janë të njëjtë për të gjithë”.

Ndaj deklaratave të Nënkryetarit të PDK’së ka reaguar deputeti i LDK’së, Arben Gashi.

Ka thënë se Kuçi ka probleme mendore, kur e pohon se LDK’ja është e njëjtë me Serbinë.

"Zoti Kuçi ka mundur me kanë në delirium, ose në ekstazë mendore kur e ka thënë atë fjalë. Është papërgjegjësi totale e tij. Diturinë ose paditurinë e LDK’së nuk do të duhej ta komentonte një ministër i Qeverisë Thaçi. Kjo deklaratë dëshmon se PDK’ja po sillet si uzurpuese e pushtetit në Kosovë, si një vjedhëse e votave, si manipuluese e interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gashi për Express, të mërkurën.

"Është sjellje e një momenti të papërgjegjshëm mendor, intelektual, profesional e Ministrit të Drejtësisë dhe Zëvendëskryeministrit”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, Zëvendëskryeministri kur ka folur për zbatimin e Marrëveshjes për Presidentin. Ka thënë se duhet të gjenden rrugët juridike, e jo të kërkohet dorëheqja apo largimi me dhunë i Jahjagës nga posti i Presidentes.

"Marrëveshje mund të modifikohet. Vendimi i Gjykatës është i paapelueshëm. Problemet politike mund t’i zgjedhim përmes rrugëve juridike. Problemet juridike nuk mund t’i zgjidhim përmes politikës”, ka deklaruar ai.

"PDK’ja e mban fjalën, por kërkon rrugë juridike për t’i zbatuar marrëveshjet”.

Por, zyrtarët e LDK’së thonë se rruga e vetme për të vazhduar më tutje është zbatimi i Marrëveshjes për largimin e Jahjagës, votimi i reformave zgjedhore dhe kushtetuese, e pastaj mbajtja e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.

"Ne kërkojmë zbatimin e Marrëveshjes dhe asgjë më shumë”, ka shtuar Gashi.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri ka thënë se po e merr rolin e këshilltarit të LDK’së se si të veprojnë me marrëveshjen.

Ka sugjeruar të shkohet deri në fund me reforma zgjedhore dhe kushtetuese, e pastaj të kërkohet zgjedhje presidenciale dhe parlamentare.

"Kanë gabuar në hapa, nëse sot do të kërkojnë dorëheqjen e Presidentes, atëherë prapë zgjedhja e presidentes do të ndodhë përmes Kuvendit”.

Sipas zyrtarit të PDK’së, pas dhjetë shtatorit, kur përfundon mbikëqyrja e pavarësisë, do të ketë përgjigje për të gjitha dilemat në lidhje me marrëveshjen për Presidentin.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus