Kryesore » 2012 » Dhjetor » 6 » LDK-ja nuk e do Thaçin për president
6:49 PM
LDK-ja nuk e do Thaçin për president
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e përkrah skenarin e përfolur që Kryeministri Hashim Thaçi ta marrë postin e presidentit të vendit, duke thënë se sikurse tash që nuk është i dobishëm si kryeministër, po ashtu edhe si President nuk do t’i shërbejë popullit të Kosovës .Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Vjosa Osmani, duke e komentuar skenarin e përfolur që Kryeministri Thaçi ta marrë postin e Presidentit, ka thënë se LDK-ja nuk e përkrah një gjë të tillë. Ajo ka paralajmëruar edhe lëshimin e sallës së Kuvendit gjatë kohës së votimit të tij si President.
"Në qoftë se Thaçi parasheh skenar të tillë, duhet ta ketë këtë parasysh se do të ishte në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe shkelje e atij vendimit. LDK-ja natyrisht se nuk e përkrah Thaçin si president, sepse mendojmë se sikurse tani që është kryeministër, nuk është në të mirë të popullit të jetë as president”, ka thënë ajo, transmeton KP.

Kurse, sa i përket koalicionit në mes PDK-së dhe AAK-së, ajo thënë se janë çështje që mund të diskutohen në mes tyre dhe se LDK-ja nuk do të ndërhyjë. Por, ka shtuar se partia e saj mendon që është në të mirë të Kosovës që zgjedhjet të mbahen sipas marrëveshjes, pra në vitin 2013 dhe që përfundimisht të pastrohen listat e tyre që kanë të drejtë për të votuar.

Ajo ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke thënë se LDK-ja ende nuk mund t’i komentojë ato përderisa nuk i ka parë.

Sipas saj, krejt çka kanë deri tash është një deklaratë shumë e përgjithshme nga ana e zyrës së baroneshës Ashton, e cila njofton se janë arritur marrëveshjet, por interpretimet që u jepen atyre dy marrëveshjeve nga pala shqiptare dhe ajo serbe janë diametralisht të kundërta.

"Nuk mund të komentohen qëndrimet e Thaçit, apo të Dacicit, derisa nuk e shohim marrëveshjen”.

Ajo ka shtuar se shpreson që Thaçi ta mbajë premtimin që e ka dhënë lidhur me vendosjen e simboleve shtetërore në kufi me Serbinë.

"Ne presim që kryeministri, ashtu siç premtoi në seancë, nën një - ta çojë deri në fund premtimin e vet që simbolet shtetërore të jenë në kufi me Serbinë, dhe nën dy - që domosdoshmërish të mos tejkalohet Ahtisaari sa i përket buxhetimit të taksave të mbledhura. Ju e dini që Ahtisaari parasheh që ato taksa të rrjedhin drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës dhe pastaj buxheti i Kosovës vendos që ato t’i shpenzojë në komunat veriore. Gjithçka që e tejkalon këtë zgjidhje, konsiderohet Ahtisaari Plus nga ana e LDK-së”, ka thënë ajo.

Deputeti i PDK-së, Behar Selimi, sa i përket marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, ka thënë se kjo formë e menaxhimit të kufirit i ka specifikat e veta.

"Kjo është një formë specifike e menaxhimit të integruar të kufirit, e krahasueshme me disa shtete të Evropës Juglindore. Megjithatë, ka disa specifikat për arsyen e thjeshtë se me Serbinë koncepti i menaxhimit të integruar të kufirit do të bazohet në bashkëpunim, jo në bashkëveprim”, ka thënë ai.

Me zbatimin e kësaj marrëveshje Selimi ka thënë se Serbia në fakt i njeh kufijtë e Republikës së Kosovës, pa paragjykuar vijën kufitare e cila duhet të përcaktohet në vonë me demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në aspektin juridik dhe politik, kjo marrëveshje shënon një avancim në raport me njohjen e pikave kufitare, përkatësisht hyrje-daljeve zyrtare të Kosovës, që i bie se është njohje faktike e kufijve të Republikës së Kosovës pa e paragjykuar vijën kufitare të demarkacionit, të cilat duhet të ndodhin në të ardhmen.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus