Kryesore » 2012 » Prill » 11 » Kukan-Kaçin: Serbia të lirojë Hasan Abazin
6:00 PM
Kukan-Kaçin: Serbia të lirojë Hasan Abazin
Krerët e delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan dhe Jelko Kaçin i kanë kërkuar Beogradit zyrtar lirimin e sindikalistit kosovar Hasan Abazi, i cili u arrestua më 28 mars. 
Sipas raportimeve të "REL”, dy zyrtarët evropianë i kanë dërguar një letër kryeministrit serb Mirko Çvetkoviç, në të cilën kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e Abazit. "Mbajtja në paraburgim e kryetarit të Sindikatës së punëtorëve të minierave të Kosovës përbën një shqetësim serioz në aspektin e pavarësisë së institucioneve dhe në atë të sundimit të ligjit në Serbi”, thuhet në letër. Në bazë të informacioneve të tyre, Kukan dhe Kaçin Abazi në 48 orët e para është mbajtur ilegalisht në paraburgim dhe nuk i është lejuar të takohet as me avokatin e as me anëtarët e familjes së tij."Paraburgimi i Hasan Abazit është një hap në drejtimin e gabuar për Serbinë”, janë shprehur më tej Kukan dhe Kaçin, në letrën dërguar shefit të qeverisë serbe.

Shtetasi kosovar Hasan Abazi u arrestua muajin e kaluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, si reagim i kësaj të fundit ndaj arrestimit të katër serbëve në Kosovë, të cilët po transportonin ilegalisht materiale zgjedhore.

Katër ditë më parë, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri njoftoi se po merrej personalisht me çështjen e Abazit, duke marrë si referim marrëveshjen për lëvizjen e lirë me Serbinë.

Ditën e arrestimit, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se Abazi ishte arrestuar në bazë të një fletë-arresti për spiunazh të lëshuar nga gjykata e qarkut në Gjilan.

Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus