Kryesore » 2012 » Korrik » 30 » Kosovë, Gashi rektori i ri i UP-së
8:58 PM
Kosovë, Gashi rektori i ri i UP-së
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mënyrë unanime dhe pa asnjë votë kundër, ka zgjedhur për rektor të Universitetit të Prishtinës ish-zv.ministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi. Ajvaz Berisha, anëtar i Këshillit Drejtues bëri të ditur se rektori i ri i universitetit u votua nga 9 anëtarë, sa ishin gjithësej në komision. Në garë për rektor të UP-së përveç Gashit ishin 5 kandidatë të tjerë. Ndërkohë, diskualifikimin e kandidatëve Valon Myrtezaj dhe Fadil Maloku, Berisha e ka arsyetuar me faktin se, siç tha ai, mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar në konkurs. Megjithëse pak e besueshme, zoti Berisha ka mohuar që në zgjedhjen e rektorit të ketë ndikuar politika. "Në momentin që është themeluar senati i ri i UP-së është formuar komisioni për shikimin e dokumentacionit të 7 kandidatëve. Në bazë të konkursit që është shpallur në gazetë, për dy nga ata kandidatë komisioni ka konstatuar se nuk kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm që është kërkuar me konkurs dhe natyrisht janë larguar nga gara e mëtejshme. Këtu nuk ka pasur ndonjë pretendim, ne kemi kërkuar nga komisioni që ta sjellë materialin e të gjithë kandidatëve dhe dy prej tyre nuk kanë poseduar të gjitha dokumentacionet që janë kërkuar me konkurs”, deklaroi Berisha. 

Ndërkohë, Valon Myrtezaj, njëri ndër kandidatët që u eliminua nga Këshilli Drejtues i UP-së, thotë se i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara në konkursin e shpallur dhe ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të kërkojë sqarime lidhur me skualifikimin nga gara për të parin e UP-së.

"Të premten paradite disa gazetarë më kanë njoftuar se unë nuk do të jem në mesin e të ftuarve për intervistën që është mbajtur sot. Kjo më ka habitur sepse unë të gjitha kriteret formale juridike të parashikuara me konkursin e shpallur të Këshillit Drejtues të UP-së për pozitën e rektorit, i kam plotësuar 100 për qind. Nuk kam ndonjë komunikim zyrtar me institucionin e rektoratit, ditëve në vijim do të kërkoj që në mënyrë të shkruar t’i marr sqarimet shtesë pse nuk jam në mesin e kandidatëve për intervistim”, deklaroi Myrtezaj.

Profesor doktor Ibrahim Gashi kohë më parë dha dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit të Punëve të Jashtme me synim të marrjes së postit të rektorit të Universitetit të Prishtinës, mandati i të cilit do të fillojë më 1 tetor.

Lëvizja Studentore: Gashi, njeri i pushtetit

I menjëhershëm ka qenë reagimi Lëvizjes Studentore, sipas të cilës Ibrahim Gashi është njeri i pushtetit që ka ardhur për të vazhduar avazin e vjetër, por në kostume të reja.

"Rektori i ri është rektori i vjetër. Fytyra e tij nuk na mashtron. Politika po i ndërron njerëzit që ne të mendojmë se po ndërron politika. Por rektori i ri është saktësisht ajo që thotë populli: ‘paraja blenë çdo gjë’”, deklaroi LS.

Organizata shprehet më tej se: "Gashi u shit për paratë e Pacollit dhe interesat e Thaçit. Se Gashi është i dërguari i pushtetit në UP e tregon edhe fakti se disa javë me herët ai ka dhënë dorëheqjen nga qeveria, sepse e priste kolltuku i premtuar”.

"Universiteti i vendit përsëri dhe vazhdimisht po bie preh e pazareve partiake. Universiteti na vjen si shëmbëlltyrë e këtij pushteti, ndërsa kjo qeveri është shembëlltyrë e pazareve dhe kompromiseve”, vijon reagimi.

"Ky pushtet gjithçka e sheh si mall që tregtohet. Si rrjedhojë e kësaj, studentët i sheh si objekte që manipulohen dhe prandaj na vjen Ibrahim Gashi, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga rektori Muja”, përfundon deklarata.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus