Kryesore » 2012 » Korrik » 27 » Kllokoqi u vra se kishte informacion
1:17 PM
Kllokoqi u vra se kishte informacion
Pretendojnë që të dytë se kanë qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës. Nazim Bllaca, denoncues i siç pretendon ai krimeve të SHIK-ut dhe Naim Miftari, po ashtu pjesë e këtij shërbimi, nuk e njohin njëri-tjetrin. Por që të dytë e kanë njohur Ibush Kllokoqin, i cili është vrarë me të përfunduar lufta në Kosovë. Nazim Bllaca gati dy vjet më parë ka denoncuar siç ka thënë ai vrasje e krime të tjera të kryera nga agjentët e SHIK-ut. Në mesin e atyre që kanë bërë krime ai ka përmendur edhe Sadik Abazin, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën, Shaban Sylën, Bekim Sylën e Driton Hajdarin. Këta persona tashmë janë në bankën e të akuzuarve, ndërsa do të përgjegjen për pretendimet e prokurorisë së ata kanë qenë pjesëmarrës në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe në dy tentim vrasje të tjera. 

Në vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve, të enjten ka dëshmuar Naim Miftari me prejardhje nga rajoni i Vushtrrisë. Në këtë terren por edhe kryesisht në rajonin e Mitrovicës, ai kishte punuar si agjent i SHIK-ut.

Në disa raste ishte takuar edhe me udhëheqësin Kadri Veseli, por në zyrat e SHIK-ut ai kishte parë edhe Azem Sylën. Ky i fundit sipas dëshmitarit, nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut, por ka qenë udhëheqësi i UÇK-së dhe si i tillë, kudo që ka shkuar i ka pasur dyert e hapura.

Si agjent i SHIK-ut, Miftari kishte intervistuar shumë herë persona për të pasur sa më shumë informacione. Ai ka pohuar se ka pasur një listë me emra të shqiptarëve të cilët kanë bashkëpunuar me Shërbimin Sekret Jugosllav.

Në mesin e këtyre emrave kishte qenë edhe emri i Ibush Kllokoqit. Me këtë të fundit, dëshmitari ishte takuar disa herë përmes Ferki Aliut. Sa herë që janë takuar, dëshmitari ka thënë se e kishin njoftuar Kllokoqin se nuk do të bënin asgjë të keqe.

"Jemi takuar me të për shkak se kemi pasur nevojë që të kemi informacione për vrasjen e disa komandantëve para dhe pas luftës. Gjithashtu kemi dashur të takohemi me gruan e tij, e cila ka punuar në sekretariat krahinor dhe kemi dashur nga ajo ta dimë se kah po financohet UDB-ja. Ibushi na ka thënë se ai vetë mund të na ofrojë çfarëdo informacioni, por jo gruaja për shkak se sipas tij, gruaja nuk ka qenë në atë sektor, ku mund të kishte qasje në këto të dhëna”, ka thënë dëshmitari.

Dikur vetëm kishte kuptuar se Ibush Kllokoqi është vrarë pa pasur dijeni se kush e ka vrarë. Ai këtë e ka kuptuar vetëm kur Nazim Bllaca publikisht ka deklaruar për krimet e SHIK-ut.

"Nazimin nuk e njoh e as nuk dua ta njoh”, ka thënë dëshmitari duke kujtuar se i kujtohet nofka "Seiko”.

As ata që dyshohen se kanë qenë pjesëmarrës në vrasjen e Kllokoqit, dëshmitari ka thënë se nuk i njeh. Por ka shfaqur goxha siguri, se asnjëri nga ta nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Dëshmitari ka pohuar se Ibush Kllokoqi ka pasur shumë informata dhe dyshon se është vrarë pikërisht për numrin e shumtë të tyre që ka pasur.

"Ne është dashur ta ruajmë atë, sepse ka pas shumë informacione. Ibush Kllokoqi u vra sepse ka pas shumë informacione”, ka thënë Miftari.

Pjesëtarët e SHIK-ut, sipas tij, nuk kanë pasur libreza të anëtarësisë ndërsa për faktorin vendor dhe ndërkombëtar në Kosovën e pasluftës, si pjesëtar i SHIK-ut, Miftari ka thënë se ka pasur prestigj.

Miftari ka dëshmuar ndonëse i akuzuari Fahredin Gashi përmes mbrojtjes, sërish është thirrur në paaftësinë e klientit të tij për të qenë në gjendje të dëgjojë procesin.

Seanca e radhës do të mbahet të premten, ku pritet të diskutohet një raport rreth vrasjeve politike në Kosovë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus