Kryesore » 2012 » Shkurt » 19 » Ish-guvernatori Hashim Rexhepi kërkon dëmshpërblim
1:38 PM
Ish-guvernatori Hashim Rexhepi kërkon dëmshpërblim
Rexhepi, ka ushtruar kërkesë për dëmshpërblim. Pasi Gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat që atij ia ngarkoi një prokuror i EULEX-it, Rexhepi kërkon llogari monetare për dëmin e shkaktuar. Komisionit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duket se kjo do t’i kushtojë goxha shtrenjtë. Tash dëmin e ndërkombëtarëve, e paguajnë vendorët.Pamjet ku ai dilte nga zyra e tij me duart të lidhura dhe nën përcjelljen e pjesëtarëve të Njësisë Speciale, ende janë të freskëta. Por një vit e gjysmë më vonë, Hashim Rexhepin, Gjykata e shpalli të pafajshëm nga të gjitha akuzat.Pavarësisht vendimit të Gjykatës, këtij ish-zyrtari të lartë, duket se i është dëmtuar shumë karriera dhe imazhi personal.
Për këtë, ai kërkon shpagim. Tash nga pozita e një të pafajshmi, ka vendosur që të kërkojë dëmshpërblim nga institucionet përkatëse për dëmin që i është shkaktuar.Për këtë arsye, Hashim Rexhepi ka vendosur që nëpërmjet mbrojtësit të tij ligjor, avokatit Ramë Gashi, të kërkojë kompensim në Komisionin e Këshillit për Kompensim të Dëmit të Personave të Pafajshëm të Privuar nga Liria.

Ky mekanizëm, i cili vepron në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është i obliguar t’ia paguajë ish-guvernatorit, shumën e caktuar të dëmshpërblimit.

Astrit Hoti, sekretar i këtij Komisioni, konfirmon se ka pranuar nga ish-guvernatori, një kërkesë për dëmshpërblim material.

"Po, e kemi marrë kërkesën”, thotë Hoti, i cili nuk tregon se sa është shuma eventuale që Rexhepi ka mundur ta kërkojë, por sqaron aq sa mund të paguajë institucioni që ai drejton.

"Ne mund të paguajmë shumën 6 euro për ditë për dëm material e 6 për dëm jomaterial për periudhën e paraburgimit”, thotë Hoti për Express.

"Ndërsa për arrest shtëpiak, 6 euro në ditë për dëm material e 4 për dëm jomaterial”, sqaron zyrtari i këtij Komisioni.

Në rastin e ish-guvernatorit, sipas sekretarit Hoti, vendimi mbi dëmshpërblimin e tij do të bazohet edhe mbi kontratën e punës dhe të dhënave të bankës.

"Në rast se të dhënat e bankës tregojnë se ai nuk ka marrë pagë për periudhën e caktuar, atëherë atij t’i paguhet edhe paga, varësisht nga kontrata që ka pasur sa ai ka qenë në paraburgim”, thotë ai.

Ndërkohë, avokati Ramë Gashi sqaron se kërkesa për dëmshpërblim është dorëzuar në sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe se tash për tash varet nga përgjigjja që ata do të kthejnë.

Në fakt, ky rast është cilësuar si një prej dështimeve më të mëdha profesionale të misionit të EULEX-it.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus