Kryesore » 2012 » Tetor » 16 » Intervista me Sekiraçën, sherr midis RTK dhe BIRN
9:33 AM
Intervista me Sekiraçën, sherr midis RTK dhe BIRN
Radiotelevizioni i Kosovës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) kanë shprehur mospajtimet midis tyre lidhur me mostransmetimin në servisin publik të intervistës me Enver Sekiraçën, personin kontrovers i shumëpërfolur dhe dyshuar për vepra të ndryshme kriminale në Kosovë.
RTK përmes një komunikate dje bëri të ditur vendimin për mostransmetimin e intervistës, por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i BIRN që ka kërkuar përmirësimin e vendimit.Intervista ishte planifikuar të transmetohet të dielën më 14 tetor, në terminin e rregullt të RTK-së."Pas deklaratës së kryetarit të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), Rrahman Paçarizi, se menaxhmenti i televizionit publik nuk e ka censuruar intervistën tonë me Enver Sekiraqën por nuk e ka transmetuar atë ‘për shkak të implikimeve ligjore’, njoftojmë publikun se RTK të hënën pasdite i ka dhënë një arsyetim zyrtar ekipit të Drejtësia në Kosovë në lidhje me këtë vendim duke thënë se ‘përmbajtja e emisionit tejkalon kornizat e lirisë së shprehjes dhe për shkak të pohimeve akuzuese nuk besojmë se duhet të shërbejë si përmbajtje për debat publik por si çështje që duhet adresuar tek organet kompetente të drejtësisë’”, ka theksuar producenti i emisionit "Drejtësia në Kosovë” Faik Spahiu nga BIRN.

Sipas tij, mostransmetimi i intervistës është censurim që "ne duam të besojmë se vjen jo nga vullneti për këtë kufizim por nga moskuptimi i procedurave dhe praktikave ligjore”.

Menaxhmenti i RTK-së ka theksuar se një nga arsyet themelore që ka ndikuar në vendimmarrjen për mostransmetimin e këtij emisioni është fakti se pavarësisht përpjekjeve të autorëve të emisionit, nuk është arritur të verifikohen pohimet e paraqitura si fakte nga ana e disa pjesëmarrësve në emision.
"Ne konsiderojmë se përmbajtja e këtij emisioni i tejkalon kornizat e lirisë së shprehjes dhe për shkak të pohimeve akuzuese nuk besojmë se duhet të shërbejë si përmbajtje për debat publik, por si çështje që duhet adresuar tek organet kompetente të drejtësisë”, thekson RTK.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus