Kryesore » 2012 » Prill » 22 » IHKLK po mbledh prova për krimet serbe në Kosove
6:46 PM
IHKLK po mbledh prova për krimet serbe në Kosove
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë për vetëm një vit të funksionimit, ka nxjerr të dhëna e fakte të bollshme për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, me të cilat mund të shërbehen institucionet dhe organet e ndjekjes.Ata kërkojnë përshpejtimin e ligjit dhe buxhet të veçantë për të pasur punë më efektive. Anëtarët e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë po kërkojnë buxhet më të madh nga qeveria e vendit për të çuar përpara mbledhjen e pjesës më të paprekur të dëshmive të krimeve të luftës, dhunimet.Ismet Salihu, anëtar i këtij instituti, përgjegjës për pjesën e hulumtimit për krime kundër njerizimit dhe gjenocid thotë se i duhet një ekip më i madh në terren për të mbledhur dhe sistemuar dëshmitë e krimeve, sidomos dhunimet.
"Do të mundohemi të mbledhim të dhënat për vrasjet, vrasjet e fëmijëve, deportimet dhe do të jetë segment i veçantë për herë të parë mbledhja dhe dëshmimi i dhunimeve, sepse dyshohet se janë dhunuar mbi 10 mijë femra shqiptare”, i ka thënë Salihu Radio Kosovës.
Salihu thotë se Instituti për herë të parë do t’u jap formën profesionale dëshmive të mbledhura në terren. "Kemi paraparë që të dhënat e institutit përveç që do t’u shërbejnë të gjitha institucioneve ato do të jenë të gatshme edhe për organet e ndjekjes”, ka thënë Salihu.
Fejaz Dranqolli, që kryeson ekipin për hulumtimin e krimeve në trashëgiminë kulturore kosovare thotë se ka mbledhur fakte që do shërbejnë jo vetëm si shifra dëmesh, por edhe si dëshmi për organet e ndjekjes.
"Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ka qenë një gjenocid. Jemi duke mbledhur dokumentacionin dhe tash shpejt mund të bëhet edhe padia. Ne shpejt gjithashtu mund t””i japim edhe koston sa kushtojnë, por në të shumtën kanë ndodhur dëmtime të pariparueshme”, ka thënë Dranqolli.
Bedri Bahtiri, sekretar i përhershëm në Ministrin e Drejtësisë pjesë e së cilës është Instituti ka thënë se presin ligjin për Institutin për të mundur të përcaktohet qartë rregullimi buxhetor i tij.
Anëtarët e Institutit kanë thënë se po hulumtohen edhe krimet e kryera ndaj etniteteve të tjera në Kosovë.
Instituti kosovar për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka marrë për detyrë të mbledh, sistematizoj, përpunoj dhe publikoj të dhënat për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera gjatë viteve 1990 – 1999.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus