Kryesore » 2012 » Dhjetor » 20 » IBM, marrëveshja e manipuluar
1:41 PM
IBM, marrëveshja e manipuluar
Mostransparenca e Bashkimit Evropian lidhur me përmbajtjen e marrëveshjeve që po arrihen në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, po bën që Kosova dhe Serbia të manipulojnë me opinionin, duke interpretuar në mënyra të ndryshme marrëveshjet e njëjta. Mediet në Beograd kanë njoftuar se dje grupet punuese të Serbisë dhe Kosovës kanë arritur marrëveshje në Bruksel, me anë të së cilës serbëve t’u lejohet që të mos paguajnë doganë për të gjitha mallrat që hyjnë në veri. Po këtë, ditë grupi punuese për IBM nga Kosova ka mbajtur konferencë për medie, për të demantuar atë që e thotë Beogradi dhe për të thënë se bëhet fjalë për një mirëkuptim e jo marrëveshje. Naim Huruglica, drejtor i Doganës së Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim dyditor në Bruksel, tha se kanë arritur me një pajtueshmëri, që për një afat të shkurtër kohor, mallrat që hyjnë në veri për çështje familjare, të mos doganohen.

"Nuk i kemi liruar nga dogana, por i kemi lejuar që ato mallra që dedikohen për familje, të mos tatimohen. E kjo është një pajtueshmëri dhe jo marrëveshje, e cila do të zgjasë vetëm deri më 10 janar të vitit të arshëm. Arsyeja pse e kemi arritur këtë pajtueshmëri është për shkak festave të fundvitit”, tha Huruglica.

Sipas tij, do të jenë personat në doganë që do të bëjnë identifikimin e atyre mallrave, nëse janë për tregti apo për familje. Po ashtu bëhet fjalë që mallrat për familje të lejohen pa doganë deri në 3.5 tonë, këtë Huruglica e arsyeton me faktin se janë festat dhe se njerëzit mund të blejnë shumë.

"Por kjo do të zgjasë vetëm deri më 10 janar, e më pas do të vazhdohet njëjtë dhe të gjitha mallrat do të tatimohen, pavarësisht se a janë për veri apo për tjetër vend”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i ekipit negociator të Serbisë, në kuadër të bisedimeve me Kosovën, Dejan Paviqeviq deklaron ndryshe, duke thënë se palët janë pajtuar në Bruksel, që mallrat që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare në veri dhe që janë të destinuara për komunat veriore, të mos doganohen.

"Automjetet me mall për të cilin nuk paguhet akciza mund të hyjnë pa doganim në veri të Kosovës, ashtu sikur dhe malli i akcizës deri në tre tonë e gjysmë", ka thënë Paviqeviq për media serbe.

Këtë e demantoi edhe Fisnik Rexhepi, nga Ministria e Brendshme, po ashtu pjesë e grupit punues për IBM. "Fillimisht bëhet fjalë për pajtueshmëri dhe jo marrëveshje, siç po thotë Serbia, dhe nuk është aspak e vërtetë se i kemi liruar nga tatimet”, tha Rexhepi.

Edhe në komunikatën për medie e dërguar nga zyra e baroneshës Catherine Ashton, thuhet se është arritur një pajtueshmëri lidhur me marrëveshjen e IBM-së.

"Përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton është e lumtur me rezultatet e grupeve punuese të IBM, të cilët dje kanë arritur një pajtueshmëri lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me implementimi e IBM-së. Më 10 janar grupet teknike do të vazhdojnë me punën e tyre për të përgatitur edhe takimin që do të mbahet mes dy kryeministrave Thaçi dhe Daqiç, që do të mbahet më 17 janar”, thuhet në komunikatë.

Ashton po ashtu pret që mirëkuptimi i arritur të martën në Bruksel, do të mundësojë funksionimin pa pengesa të dy vendkalimeve të hapura më 10 dhjetor, dhe hapjen e dy pikave tjera deri në fund të vitit. Kurse për detaje lidhur me pajtueshmëri, kjo komunikatë nuk thotë asgjë.

E kontaktuar nga "Zëri”, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Ashton thotë se ajo nuk mund të shpalosë detajet. "Nuk mund t’u jap detajet. Marrëveshjet janë bërë mes dy palëve dhe mbetet tek ata për t’i interpretuar”, tha shkurt ajo.

Shenoll Muharremi, njohës i politikave integruese, kritikon këtë jotransparencë të palëve.

"Marrëveshjet apo pajtimet po vazhdojnë të mbahen larg syve të publikut dhe qytetarëve në emër të të cilëve po bëhen, dhe ketë BE po e bën për arsye për t’u lejuar të dyja palëve që të bëjnë interpretime për nevoja të brendshme politike. Andaj, dialogu Kosovëe-Serbi është shndërruar në luftë interpretimesh”, tha Muharremi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus