Kryesore » 2012 » Gusht » 10 » Hetohen për toka
12:34 PM
Hetohen për toka
Zyrtarë të Komunës së Vushtrrisë janë duke u hetuar për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ata dyshohen se kanë tjetërsuar prona duke dëmtuar komunën dhe duke u pasuruar për veten e tyre. Në prokurori dhe në komunë konfirmojnë për hetimet. Ato kanë filluar qe disa muaj.Dyshimet për korrupsion nuk kanë të ndalur. E këto dyshime sërish kanë të bëjnë me Komunën e Vushtrrisë. Më saktësisht, ka disa muaj që Policia është duke hetuar zyrtarë të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër të kësaj komune, si të dyshuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Burime të gazetës bëjnë të ditur se këto hetime po bëhen në lidhje me tjetërsimin e disa pronave si shoqërore, e po ashtu edhe të serbëve që kanë ikur pas luftës nga Kosova, e që ua kanë shitur shqiptarëve.

"Hetimet kanë filluar ndaj dy ose tre zyrtarëve të kësaj drejtorie, nën dyshimet se ata kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare”, tha një burim brenda Komunës së Vushtrrisë. Se po hetohen zyrtarë të Komunës pranon edhe kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shyqëri Syla. Ndonëse nuk përmend asnjë emër të ndonjë zyrtari, Syla pranon se në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Vushtrrisë janë duke u bërë hetime. "Po, jemi duke hetuar. Nuk dihet ende sa zyrtarë po hetohen. Për momentin janë dy, por nga hetimet mund të dalin edhe tjerë”, tha Syla për Express.

E tëra, sipas Sylës, ka filluar me një copë letër të një qytetari të thjeshtë që ka dërguar në prokurorinë e tij. "Ne e kemi marrë me rezerva atë letër, por nuk e kemi injoruar, kështu që së bashku me policinë kemi filluar hetimet”, tha Syla. Sipas tij, hetimet janë në përfundim e sipër dhe së shpejti do të ngrihet aktakuzë ndaj tyre.

Hetimet në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër i konfirmojnë edhe në Komunë, edhe pse nuk tregojnë se cilët zyrtarë janë duke u hetuar për korrupsion ata pranojnë se hetuesit kanë qenë në këtë Drejtori për të bërë hetime. Zëdhënësi i komunës Bahri Bivolaku tregon për Express se hetuesit e Policisë kanë bërë hetime në drejtorinë përkatëse ndonëse nuk bën të ditur zyrtarët që janë marrë në pyetje.

"Po kanë qenë para disa muajsh, por nuk jemi në dijeni kënd po e hetojnë”, tha Bivolaku për Express. E këto hetime për zëdhënësin e Komunës janë si rezultat i kërkesës që kryetari Bajram Mulaku ka bërë për organet e drejtësisë.

"Vetë kryetari ka kërkuar që të fillohen hetimet jo vetëm në këtë drejtori, por edhe në drejtoritë e tjera|, tha Bivolaku. Por zëdhënësi këtë e tha vetëm pasi që kuptoi se në Drejtorinë e Gjeodezisë po hetohen disa zyrtarë të saj. Fillimisht ai mohoi se po bëhen hetime ndaj ndonjë zyrtari të Komunës, e më vonë pranoi se hetuesit e kanë vizituar si shpesh Komunën.

Ai tha se kryetari ka kërkuar që të hiqen dyshimet e opozitës se në Komunë ka korrupsion dhe kërkesa e tij është që të hetohen të gjitha ndryshimet e pronave edhe gjatë mandatit të kaluar.

"Ne dëshirojmë që të zbardhet e tërë periudha e ndryshimeve pronësore edhe gjatë mandatit kur nuk kemi qenë në pushtet”, tha Bivolaku. Kërkesa e kryetarit Mulaku kishte pasuar një akuzë që LDK-ja kishte bërë ndaj pushtetarëve të Vushtrrisë për korrupsion, sidomos me prona.

Por nuk është hera e parë që zyrtarë të kësaj komune dyshohen për korrupsion. Në mars të këtij viti, policia pati arrestuar tre drejtorë dhe një deputet të kësaj komune, si të dyshuar për disa vepra penale.

Në atë kohë ishin arrestuar Bajram Beqiri, drejtor i Inspektoratit, Idriz Ismaili, drejtor i Urbanizmit, Sami Istrefi, drejtor i Shërbimeve Publike si dhe deputeti i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, Gani Imeri. Arrestimet janë bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndërsa tre drejtorët dhe deputeti Imeri dyshohen se kanë kryer vepra penale të pushtimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme, shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit, ushtrim të ndikimit dhe krim të organizuar. Ata janë liruar nga masa e paraburgimit me të drejtën për t’u mbrojtur në liri.

Kryetari Bajram Mulaku ka paralajmëruar se nëse drejtorët shpallen fajtorë për veprat e dyshuara, ai do të japë dorëheqje nga posti i tij.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus