Kryesore » 2013 » Nëntor » 29 » Hetohen 15 raste të ndërtimeve në Prevallë
10:04 AM
Hetohen 15 raste të ndërtimeve në Prevallë

Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj 15 rasteve po zhvillohen hetime për ndërtim pa leje dhe moszbatim të urdhëresave për ndalimin e punimeve për vilat e ndërtuara, në fshatin turistik të Prevallës, përderisa ndaj një personi është ngritur aktakuzë. Ndërkaq Departamenti për Krime të Rënda po heton dy inspektorë komunalë për keqpërdorim detyre.

Derisa Prokuroria Themelore në Prizren ka në shqyrtim një numër të lëndëve për ndërtimet ilegale në Prevallë, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), një ditë më parë njoftoi se në këtë pjesë ka shpërndarë 23 vendime, në objektet që nuk kanë leje, duke urdhëruar kështu rrënimin e tyre nga vetë pronarët. Referuar vendimeve, nëse brenda një afati kohor prej 15 ditësh pronarët nuk i largojnë objektet e tyre pa leje, këtë do ta bëjë ministria dhe shpenzimet do t'i bartin vetë ata.

Kryeprokurori Sylë Hoxha konfirmoi për "Zërin” se në këtë organ në shqyrtim për ndërtime ilegale dhe moszbatim të urdhëresave për ndalimin e punimeve për vilat e ndërtuara, në fshatin turistik të Prevallës janë 15 lëndë. "Për rastet në shqyrtim, Prokuroria ka kërkuar informacione shtesë nga MMPH-ja, dhe se me të gjitha po merret Departamenti për Krime të Përgjithshme”, tha ai. Ndaj një personi Kemal Bekteshit është ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale të heqjes apo dëmtim të vulave zyrtare (shenjave) të vendosura nga inspektorët e MMPH-së, si dhe Departamenti për Krime të Rënda po heton dy inspektorë komunal për keqpërdorim detyre gjatë inspektimit në Prevallë.

Tashmë në më shumë se në 120 vila të Prevallës, inspektorët e MMPH i kanë shpërndarë njoftime, me qëllim që banorët të kenë edhe një mundësi në rishikimin e planeve të tyre. Pronarët njoftohet të rishikojnë lejen dhe projektin e ndërtesës së tyre, pasi në të kundërtën paralajmërohet se për çdo tejkalim të planit, do të intervenohet nga MMPH. Një nga pronarët që mori njoftim të këtillë nga MMPH, Zejnullah Krasniqi, i cili ka ndërtuar vilën e tij në Fshatin Turistik të Prevallës. Ai pohon se ka leje ndërtimi, por siç thotë për shkak të konfiguracionit të terrenit, nuk i është përmbajtur dot projektit.

"Natyrisht që kam leje ndërtimi, pasi askush s’është i marrë të investoi me mijëra euro pa pasur paraprakisht një dokument të këtillë. Por, unë kam një tejkalim të vogël pasi kushtet e terrenit ma kanë imponuar këtë dhe se vetëm një bodrum është jashtë vijës së paraparë”, tha ai. Mustafë Hyseni, inspektor i MMPH-së tha se për tejkalimet e planeve në këto vila është duke u marrë ekipi i Task- Forcës, pjesë e të cilit janë 10 anëtarë.

"Ata i kanë projektet në zyre dhe pasi ta analizojnë secilin sosh, grupi Task Forcës do të dal në terren për të verifikuar konkretisht, ndërsa varësisht nga gjendja do të merren masa të rrepta, pasi tashmë të gjithëve u është shpërndarë vendimi i Ministrisë”, tha ai.

Hyseni tha se ne terren ka dalë bashkë me inspektorët dhe se njoftimet janë shpërndarë në të gjitha objektet pa përjashtim, pavarësisht nëse ato mund të jenë të politikanëve, për pronësinë e të cilave ai tha se nuk ka njohuri. Me një vendim të Ministrisë së Mjedisit, në fillim të majit të këtij viti është dashur të ndërpriten të gjitha punimet në Prevallë. Pavarësisht kësaj, vilat që ishin në ndërtim në atë kohë, tanimë kanë përfunduar.

Në anën tjetër, Ambasada Britanike në Prishtinë përmes një komunikate deklaroi se mirëpret iniciativën e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë masa kundër ndërtimeve të paligjshme në Prevallë. "Ne jemi të inkurajuar sidomos nga gatishmëria dhe me ligjet, të cilat po zbatohen. Këto ndërtesa dhe strukturat e përkohshme, përfshirë edhe antenat e telefonisë celulare, kishin shkelur kushtet dhe kriteret për ndërtim”, thuhej në komunikatën për medie.

Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus