Kryesore » 2012 » Qershor » 22 » Hajredin Kuçi jep dorëheqje
5:15 PM
Hajredin Kuçi jep dorëheqje
Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh zëvendëskryeministër, ka dhënë sot dorëheqje, duke zbatuar kështu zotimin që ka dhënë më 27 prill të këtij viti, se "nëse Kodi Penal i ri i Kosovës, me dy nene kundërthënëse 37 dhe 38, miratohet në formën siç është, pa ndryshime, atëherë ai do të paraqesë dorëheqje”. Ministria e Drejtësisë ishte sponsorizuese e Projekt Kodit Penal të Kosovës.Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar heqjen e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 8 maj, ka marrë vendim që Kodin Penal t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim, duke thënë se "Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj".Andaj, një qëndrim i tillë i presidentes ishte kuptuar si kërkesë për heqjen e këtyre neneve nga Kodi Penal. Po ashtu, edhe Komisioni Funksional kishte propozuar heqjen e këtyre neneve.

Mirëpo, procedura e votimit ka sjellë si rezultat 59 vota për, 4 kundër dhe 5 abstenime.

Kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, tha se kërkesa e presidentes nuk miratohet, pasi që kërkohen 61 vota për.

Me këtë vendim është shprehur "i tmerruar” Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK).

"AGPK konsideron se me këtë vendim, Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë. Votimi i deputetëve tregon për papjekuri politike dhe tendenca diktatoriale ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky Kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus