Kryesore » 2012 » Prill » 17 » Gjuni miliona, gjuni...
4:31 PM
Gjuni miliona, gjuni...
Qeveria e Kosovës po gjuan miliona euro për të marrë këshilla për secilin projekt që ka. Vetëm sivjet janë paraparë 3.5 milionë euro për shërbime këshilluese për projekte të ndryshme të vendit. Kësi këshilltarë para disa ditësh ka kërkuar edhe Ministria e Tregtisë për koncesionimin e Brezovicës. Për këtë punë, MTI i ka ndarë rreth 500 mijë euro.
Pothuajse nuk ka asnjë projekt për të cilën Qeveria e Kosovës nuk ka paguar miliona euro për të marrë këshilla nga kompanitë e huaja. Madje, shpenzimet e tilla për shërbime këshilluese janë bërë trend viteve të fundit. Vetëm sivjet, Qeveria e Kosovës pritet t’i shpenzojë rreth 3.5 milionë euro për shërbimet këshilluese për katër projekte madhore të vendit. Sipas një vendimi të qeverisë, këto shpenzime pritet të bëhen për Kosovën e Re, rreth 900 mijë euro, privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës 2.5 milionë euro, pa përfshi edhe po aq një vit më herët, privatizimin e rrjetit dhe distribucionit në KEK. E fundit që kërkon të shpenzojë para për këshilltarë është edhe Ministria e Tregtisë për koncesionimin e kompleksit turistik Brezovica.

Kjo ministri ka planifikuar që për shërbimet këshilluese për këtë transaksion të rëndësishëm të gjejë një kompani të huaj, për të cilën do të paguajë 500 mijë euro. MTI’ja ka bërë njoftimin për kontratë dhe muajin tjetër pritet edhe të zgjedhë këshilltarin e transaksionit për koncesionimin e Brezovicës.

Bernard Nikaj, këshilltar i ministres Mimoza Kusari- Lila, thotë se sivjet presin të zgjedhin edhe kompaninë këshilluese për projektin e Brezovicës. Ai tregon se kompania fituese do të japë këshilla deri në momentin kur ky projekt të jepet me koncesion.

"Për këshilltarët e transaksionit janë paraparë të shpenzohen rreth 500 mijë euro dhe këto mjete janë në kuadër të fondit për partneritet publiko privat në nivel të qeverisë, dhe presim që të alokohen përmes një vendimi të qeverisë në ditët e ardhshme”, thotë Nikaj.

Sipas tij, të gjitha përgatitjet për këtë projekt pritet të përfundojnë gjatë këtij viti.

"Ne shpresojmë që nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, ka fundi i këtij vit të mbajmë edhe një konferencë me investitorët potencialë e pastaj sa do të na marrë kohë derisa të zgjedhim investitorin, nuk dimë tani”, pohon Nikaj.

Mirëpo, punët përgatitore për futjen e partneritet publiko privat në Brezovicë, sipas Nikajt, pritet të kryhen brenda këtij viti bashkë me ndihëm e këshilltarëve të transaksionit si dhe këshilltarët e USAID’it dhe të BE’së.

Por, ekspertët e ekonomisë nuk e arsyetojnë dhënien e këtyre milionave për projektet që kanë ngecur tash e sa vjet.

Muhamet Sadiku, njohës i kësaj fushe, thotë për gazetën se këshilla të tilla duhen pranuar nga jashtë, por, sipas tij, këto duhet të vënë në interes të qytetarëve të vendit.

"...sepse ndodh shpeshherë që në emër të këtyre këshilltarëve nga jashtë vijnë edhe bishta të kompanive multinacionale si pretenduese të privatizimit të kompanive në Kosovë dhe është e pandershme të ofrojnë formula se si të privatizohet”, thotë Sadiku.

Ai thotë se kur projektet dështojnë, atëherë ato milionat e dhëna për të marrë këshilla llogariten si të humbura.

"Po na ndodh që shpenzohen paratë për këshillime e ndërkaq projektet nuk po lëvizin, dmth mbesin rekomandime të thata sepse ne kemi nevojë për pronësi më të madhe të shitjes së ndërmarrjeve”, thotë ai.

Sadiku shton se filozofia e privatizimeve kryesisht është bazuar në rekomandimet e këtyre ekspertëve, edhe pse institucionet vendore kanë pasur më pak qasje në këto këshilla. Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës kishte zgjedhur "Telco AG” për ta këshilluar rreth privatizimit të PTK-së, e kjo kontratë buxhetit ia gëlltiti 2 milionë euro, por këshillat shkuan huq. Dështoi në tërësi procesi i privatizimit. Tash, kur procesi filloi prej zeros, qeveria zgjodhi "Lazard Freres S.A.S” dhe "Raiffeisen Investment AG” për këshilltarë të rinj, që do të paguhen rreth 2.5 milionë euro.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus