Kryesore » 2012 » Korrik » 3 » Fundi i Mbikëqyrjes lë hapur çështjen e veriut
12:34 PM
Fundi i Mbikëqyrjes lë hapur çështjen e veriut
Vendimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues në Vjenë që t’i japë fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, shënon përmbylljen e një epoke të shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit, vlerësojnë përfaqësuesit e disa partive pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës. Arsim Bajrami, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës dhe kryetar i komisionit për reformat - ndryshimet kushtetuese, thotë se Kosova tashmë ka marrë dritën e gjelbër që të jetë shtet me kompetenca dhe sovranitet të plotë."Ky është një sukses për Kosovën. Në mënyrë të veçantë është një mirënjohje për punën që e ka bërë edhe Komisioni Kushtetues, i cili është bartës i këtij procesi, dhe ne morëm mbështetjen nga të gjitha shtetet për procesin që po e udhëheqim”.

"Jemi të gatshëm që si Komision Kushtetues ta përfundojmë procesin deri në fillim të shtatorit, në mënyrë që edhe solemnisht, më 10 ose 11 shtator, ta festojmë përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Është një përmbyllje logjike e një procesi që ne e kemi filluar para 22 vjetëve, kur e kemi miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe jo rastësisht 2 korriku i tashëm e përmbyll këtë epokë historike për Kosovën”, shprehet Bajrami.

Vjosa Osmani, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se vendimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues paraqet një vlerësim që i është bërë institucioneve të Kosovës për punën e tyre që nga shpallja e pavarësisë së vendit, më 17 shkurt 2008, e deri më sot, por, mbi të gjitha, vlerësim për maturinë që populli i Kosovës e ka treguar gjatë këtyre viteve.

"Tash ka ardhur koha që Kosova të ecë vet me këmbët e saj, dhe që institucionet e Kosovës të mos mbikëqyren për punën që e bëjnë dhe që Kushtetuta e Kosovës e jo Pakoja e Ahtisarit të jetë akti më i lartë juridik dhe politik në vend”, thotë Osmani.

Ardian Gjini, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thekson se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka qenë një ngjarje e pritur.

"Kjo është një ngjarje e mirë për Kosovën, një ngjarje e pritur. Por, gjithsesi që e hapë një kapitull të ri të zhvillimit të shtetësisë së Kosovës dhe të zhvillimit, sidomos, të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës, si shtet i pavarur, pa mbikëqyrje. Ky është një vendim i drejtë i Grupit Ndërkombëtarë Drejtues”, thekson Gjini.

Në anën tjetër, Arsim Bajrami, thekson se deri në shtator, Kuvendi i Kosovës duhet ta amandamentojë Kushtetutën e vendit, në pjesën e dispozitave të tranzicionit, ku duhet të ndryshohen dhe plotësohen 22 ligje.

"Komisioni Kushtetues është duke e udhëhequr këtë proces. Ligjet kanë kaluar në leximin e parë dhe ne gjatë verës do të punojmë dhe do të përgatisim këto ligje për sesionin e parë të shtatorit, në mënyrë që Kosova të përmbushë të gjitha obligimet dhe që solemnisht ta shënojë përmbylljen e mbikëqyrjes në shtator”, thotë Bajrami.

Edhe deputetët e partive opozitare vlerësojnë se deri në shtator Kosova do t’i përmbushë obligimet ligjore.

Por, ata theksojnë se përfundimi i fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, institucionet e Kosovës po i gjen me pamundësinë e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e vendit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjini, vlerëson se Kosova i ka përmbushur kushtet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por jo edhe ndaj qytetarëve të vet.

"Kosova duhet të punojë për një jetë më të mirë të qytetarëve të vet, në mënyrë që ata të ndihen mirë dhe të lumtur në Kosovën e pavarur. Çështja tjetër, e cila nuk është mbyllur, është shtrirja e sovranitetit të plotë të Kosovës në veri të vendit dhe kjo është një çështje, e cila e pret Qeverinë e Kosovës dhe Kosovën në ditët, muajt dhe shpresojmë jo edhe në shumë vite që vijnë”, shprehet Gjini.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës,Osmani, ka theksuar se veriu i Kosovës mbetet "njollë” në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit.

"Siç e kemi thënë edhe disa herë, veriu është vërtetë dështim i përbashkët i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe tregon se nuk janë bërë përpjekjet e duhura nga asnjëra palë, përfshirë këtu edhe ICO-në që ka pasur mandat që drejtë për drejtë të merret edhe me veriun, gjatë këtyre viteve pas pavarësisë”.

"Por, fatkeqësisht nuk e ka bërë një gjë të tillë. Tashmë ka ardhur momenti i fundit që të ndërmerren hapa konkret, sidomos nga institucionet e Kosovës, sepse pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova më nuk mund ta gjuajë apo hedhë fajin tjetërkund”, sqaron Osmani.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në Kuvend, vlerësojnë se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit nuk nënkupton edhe shkëputjen e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, e sidomos, nga partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me ndihmën e të cilëve Kosova ka arritur deri në këtë fazë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus