Kryesore » 2012 » Maj » 8 » Financimi i partive vazhdon të mbetet mister
5:12 PM
Financimi i partive vazhdon të mbetet mister
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar të martën një tryezë me temë: "Transparencë në financimin e partive politike”, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për mungesën e transparencës gjatë deklarimit dhe publikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të subjekteve politike, duke shkelur e neglizhuar zbatimin e ligjit në praktike.Kujtim Bytyçi, kryesues i hulumtimit në Programin "Transparenca dhe Antikorrupsioni” ka thënë se në Kosovë, që nga paslufta e deri më tani, subjektet politike asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të bërë publike raportet e tyre financiare, përfshire të ardhurat, kontributet, burimet e financimit, pasuritë, detyrimet, kapitalin dhe shpenzimet në mënyrë të drejte. Ai ka potencuar se as me hyrjen në fuqi të Ligjit për Financimin e Partive Politike në vitin 2010, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, as ndryshime pozitive në këtë drejtim. 


Kjo sipas tij qartë shihet në raportin e auditimit të deklaratave financiare të subjekteve politike për zgjedhjet nacionale të vitit 2010, ku shumica e subjekteve politike shkelin pothuajse çdo nen të ligjit aktual për financimin e partive politike. "Pra, të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike nuk raportohen saktë”, ka thënë Bytyçi. Ai ka përmendur edhe mos prezantimin e të hyrave dhe shpenzimeve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike që ndahet nga Buxheti i Republikës së Kosovës e që aktualisht është 0.34%.

Nijazi Kryeziu nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se " diskursi real është se sa janë profilizuar partitë politike, por edhe se sa janë transparente brenda vetë subjektit politik”.

Nga ana e pjesëmarrëseve të tjerë janë spikatur disa çështje tjera në lidhje se si mund të rritet transparenca e financimit të subjekteve politike; si të tilla: krijimi i institucioneve shtesë të pavarura; një kontroll më rigorozë nga ana e KQZ-së, mendime pro dhe kundër se a duhet që të vazhdohet me dhënien e donacioneve nga kompanitë private apo të jepen vetëm donacione nga Fondi i Buxhetit të Kosovës për Demokratizim.


Po ashtu pjesëmarrësit kanë theksuar se ekziston nevoja për ndryshimin e ligjit dhe përforcimin e masave për parandalimin e keqpërdorimit të fondeve private e shtetërore që iu jepen subjekteve politike.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus