Kryesore » 2012 » Shtator » 6 » EULEX-i mund të qëndrojë përtej 2014-s
4:22 PM
EULEX-i mund të qëndrojë përtej 2014-s
Qeveria e Kosovës i ka dhënë statusin e marrëveshjes ndërkombëtare letërkëmbimit të një dite më parë ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, për mandatin e EULEX-it. Është garantuar mandati dyvjeçar, por është lënë një mundësi vazhdimi përtej."Kjo ftesë do ta mbështesë EULEX-in në mandatin aktual deri me 15 qershor 2014”, thuhet në shkresën e Jahjagës për Ashtonin. "Varësisht nga vlerësimi i përbashkët, kjo do të duhej të ishte data e pritshme e përfundimit të misionit EULEX në Kosovë”.Qeveria ka sponsorizuar të martën edhe një Projektligj për ratifikimin e shkëmbimit të këtyre instrumenteve Kosovë – Bashkim Evropian. Projektligji ratifikon "marrëveshjen ndërkombëtare” për zgjatjen e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara në marrëveshje deri më 15 qershor 2014, dhe me përjashtim të Task Forcës Hulumtuese Speciale. Dokumenti i është proceduar Kuvendit për miratim me së paku 2/3 e deputetëve. Bazuar në projektligj, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta, parashihet delegimi i autoritetit për propozimin dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, në përputhje me nenin 20 të Kushtetutës, dhe krijimin e një kuadri për formimin e një sistemi të regjistrimit për stafin e EULEX-it që i lejohet armëmbajtja. Me të njëjtin projektligj garantohet edhe imuniteti i stafit të zyrës dhe personelit të EULEX-it si dhe përfaqësuesit special të BE-së (EURS), në bazë të Ligjit për statusin, imunitetet dhe privilegjet e misioneve diplomatike... dhe praninë ndërkombëtare. 

Projektligji ka vetëm tri nene, dhe në të dytin saktësohet fushëveprimi.

"Marrëveshja ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të jetë pjesë përbërëse e këtij ligji (shtojca 1) dhe zbatohet nga Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian”, thuhet në këtë nen.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, të cilin e ka sponsoruar Qeveria në Kuvend, përmban për aneks letërkëmbimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Jahjaga, dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Ashton. Gazeta ka siguruar faksimilet edhe të këtyre letrave, që Qeveria i konsideron si instrumente të marrëveshjes. Të dyja mbajnë datën e 4 shtatorit.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kjo është marrëveshja e parë bilaterale në nivel të këtillë në mes të Kosovës dhe BE-së. Ai ka shfaqur pritjet që të premten të votohet me dy të tretat në Kuvend, edhe ky letërkëmbim, ditën kur është paraparë të votohen edhe amendamentet kushtetuese që i referohen heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Në shkresën e saj, baronesha Ashton, që është edhe zëvendëspresidente e BE-së, ka pranuar ftesën për zgjatje të mandatit të EULEX-it.

"Unë e pranoj ftesën që përmban letra juaj e datës 4 shtator 2012 për ta vazhduar përmbushjen e mandatit të misionit EULEX KOSOVO në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellët”, thuhet në këtë letër. "Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që t’ju shpreh falënderimin tim të sinqertë për përkushtimin tuaj për t’ia ofruar tërë ndihmën e nevojshme misionit të EULEX KOSOVO në kryerjen e detyrave të tij në mënyrë efikase dhe efektive në tërë Kosovën”.

Baronesha ka shkruar se EULEX-i do t’i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë përcaktuar në Veprimin e Përbashkët 2008/124/CFSP për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX KOSOVO, i miratuar dhe ndryshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 4 shkurt 2008. Po kështu, edhe se EULEX-i do t’i ndihmojë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejmë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe shumetnik, si dhe të një shërbimi shumetnik policor dhe doganor në rrugën e tyre drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse.

"Kosova ka perspektivë evropiane sikurse i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Gjatë përmbushjes së mandatit të tij, EULEX-i do të kontribuojë në lehtësimin e përparimit të Kosovës drejt integrimeve të mëtejme në BE”, thuhet në këtë shkresë. "Pres që bashkëpunimi ynë i ngushtë të vazhdojë duke kontribuar kështu në forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus