Kryesore » 2012 » Prill » 21 » EULEX-i kushtëzon vizat
9:03 AM
EULEX-i kushtëzon vizat
EULEX-i nga vetë evropianët është krijuar që t’i ndihmojë Kosovës, por së paku fuqitë ekzekutive të tij po dalin problem serioz për një tjetër projekt të Brukselit, atë të liberalizimit të vizave. Sipas të gjitha gjasave, gjatë javëve në vijim kur pritet t’i dorëzohet Kosovës lista e kushteve apo siç quhet zyrtarisht, udhërrëfyesi, pjesë e tij do të jetë edhe vlerësimi se përfundimi i mandatit ekzekutiv të EULEX-it do të jetë esencial për dialogun e vizave. Kjo nënkupton se Kosova duhet të jetë e gatshme që e vetme të përballet me korrupsionin, krimin e organizuar e shumë çështje të tjera të ndjeshme që dihet se janë shumë të pranishme në Kosovë. Në faqen 5 të draftudhërrëfyesit të dialogut për vizat, versioni i marsit, pasi sqarohet se misioni i EULEX-it vetëm do të monitorojë, të mentorojë dhe të këshillojë institucionet e Kosovës, e bën "esenciale” edhe përfundimin e mandatit ekzekutiv të misionit evropian për sundim të ligjit. 

"Bashkëpunimi efektiv i autoriteteve të Kosovës me EULEX-in, përfshi edhe përfundimin e mandatit ekzekutiv të tij, do të jenë esencial”, thuhet në faqen pesë të listës së kushteve për Kosovën, që është në finalizim e sipër nga Komisioni Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, konfirmon se Qeveria e Kosovës e ka dërguar një plan në Bruksel, mirëpo afati për fundin e tij nuk është dhe aq shpresëdhënës se dialogu për vizat do të kryhet shpejt.

"Ne kemi kërkuar që ky proces (bartja e kompetencave) të bëhet më shpejt, por duket se ai do të fillojë në qershor të këtij viti dhe pritet deri në vitin 2014 të kryhet transicioni. Të gjitha, me përjashtim të përgjegjësive për procesimin e rasteve të krimeve të luftës”, i ka thënë "Zërit” zëvendëskryeministri Kuçi.

Zyrtarët qeveritarë të Kosovës kanë thënë disa herë me bindje të plotë se dialogu për vizat do të përfundojë në fund të këtij viti, mirëpo ndërkohë Brukseli e ka ashpërsuar fjalorin me të cilin po e shkruan udhërrëfyesin për Kosovën.

EULEX-i në anën tjetër nuk ka pranuar të komentojë fare as nëse ka një plan të tillë për dhënien fund të mandatit të tij ekzekutiv.

"Ne e kemi thënë që EULEX-i nuk do të qëndrojë në Kosovë përgjithmonë. Mandati i misionit varet në atë se sa shpejt institucionet kosovare për sundim të ligjit mund të aprovojnë dhe të implementojnë reformat në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave. Puna e EULEX-it do të kompletohet atëherë kur përmirësimet e nevojshme janë bërë në fushat e sundimit të ligjit dhe prej të cilave mund të përfitojnë të gjitha komunitetet”, ka thënë shefi i zyrës për informim në EULEX, Nicholas Hawton

Shefi i EULEX-it e kishte përsëritur dy herë thënien se përgjegjësia për sukses në dialogun për vizat u takon kosovarëve, pasi ishte takuar me komisionaren evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom.

Takimi ishte pjesë e vizitës së Malmstrom, e cila më 19 janar e kishte deklaruar të filluar dialogun e vizave me Kosovën. Të dy zyrtarët ndërkombëtarë përmes disa deklarimeve të tyre kanë lënë të kuptojnë që nëse nuk arrihet sukses në dialogun për vizat, ky është praktikisht dështim i vetë kosovarëve.

Ka mundësi që Komisioni Evropian e ka harruar se misioni i krijuar nga Brukseli, EULEX, ka përgjegjësi ekzekutive mbi vendorët në disa prej pikave kryesore që Komisioni Evropian pritet t’ia vërë si kusht Kosovës.

Në mesin e katër blloqeve të kushteve që pritet në fund të pranverës t’i dorëzohen Kosovës është dhe ajo e quajtur "Rendi publik dhe siguria”, e cila përfshin luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë fushë misioni evropian për sundim të ligjit ka përgjegjësi të veçanta që kalojnë përtej atyre të vendorëve.

Jozyrtarisht mësohet se si në Bruksel, ashtu edhe në Kosovë, po bëhet përpjekje e vazhdueshme nga evropianët që në opinion të krijohet bindja se për çdo gjë përgjegjësitë bien vetëm te vendorët, për këtë edhe Komisioni e quan esenciale për dialogun e vizave përfundimin e mandatit të EULEX-it.

Ministrja për Integrime, Vlora Çitaku, i ka deklaruar "Zërit” se askush nuk mund t’i ikë përgjegjësive të veta në zbatimin e kushteve për vizat, as EULEX-i.

"Secili prej nesh e ka detyrën e vet, secili duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta, edhe EULEX-i i ka detyrimet e veta. Unë kam hasur në mbështetje të shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac në këtë çështje”, ka thënë Çitaku.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus