Kryesore » 2012 » Prill » 10 » EULEX-i krijon spektakël në Jug të Mitrovicës
8:12 PM
EULEX-i krijon spektakël në Jug të Mitrovicës
Një debat i nxehtë dhe i pazakontë që ka zgjatur rreth 3-4 minuta është zhvilluar të martën pasdite afër urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, mes komandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi dhe komandantit të njësisë speciale të EULEX-it."Pse keni ardhur këtu, kush ju ka ftuar, a po e shihni se jeni duke e tensionuar situatën me gjithë këtë zhurmë e alarmime dhe për shkak tuajin është mbledhur këtu e gjithë kjo masë e njerëzve kureshtarë”, ishin fjalët e Nehat Thaçit, drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës, drejtuar komndantit të njësisë speciale të EULEX-it, derisa ky i dyti tentonte të mënjanonte mediat për të mos dëgjuar diskutimin e tyre.

Komandanti i EULEX-it, tha se kishte informatën për një protestë masovike që do të mbahej nga ana e shqiptarëve në ora 15:00, derisa Thaçi i shpjegonte atij se informata është e gabuar dhe se nuk do të ketë kurrfarë proteste, andaj i sugjeroi më mirë të shkojnë.

Në fakt pak para orës 15:00 një numër i madh i forcave të EULEX-it me sirena të aktivizuara duke parakaluar nëpër pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, kanë arritur tek ura kryesore mbi lumin Ibër ku edhe janë stacionuar. Po ashtu forca të mëdha të EULEX-it me autoblinda janë stacionuar edhe afër urës perëndimore tek "Tre rrokaqiejt”, gjë që ka zgjuar kureshtjen e rreth 100 qytetarëve të rastit që ndodheshin në atë kohë aty.

Mësohet se në disa raste ka pasur edhe debate të nxehta edhe mes qytetarëve të tubuar dhe pjesëtarëve të policisë.

Ndërkaq, në lidhje me situatën e krijuar ka reaguar edhe kryetari i KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, i cili tha se EULEX-i këtu sot ka ardhur për të bërë spektakël dhe xhiruar film.

"Kjo çka po bënë EULEX-i ka vetëm një qëllim, që të nxisin trazira dhe të provokojnë qytetarët, sepse nuk kishte asnjë nevojë për prezencën e pjesëtarëve të tyre sot këtu”, ka thënë Barani.

Ai akuzoi EULEX-in duke cituar fjalët e drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicë se "në ditën kritike kur ka ndodhur sulmi terrorist në banesën e Selver Haradinjat dhe të hënën kur grupet kriminale serbe thyen kontejnerin e policisë, EULEX-i është ftuar për ndihmë, por nuk ka ardhur.

"Nuk ka kurrfarë proteste në Mitrovicë dhe askush nga organizatat në Mitrovicë nuk ka bërë thirrje për protestë”, u shpreh i revoltuar Barani.

Vlen të theksohet se menjëherë pasi pjesëtarët e EULEX-it u larguan nga ura e Ibrit, qytetarët e tubuar janë shpërndarë.

Ndryshe, situata e sigurisë në Mitrovicë në kohën kur po raportojmë është e qetë, por nën tension, ndërsa vërehet prezencë më e shtuar e pjesëtarëve të policisë së Kosovës nëpër rrugët e qytetit, duke biseduar me qytetarë dhe duke kërkuar nga ta qetësi e maturi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus