Kryesore » 2012 » Maj » 5 » Eksod masiv nga shkodra drejt Suedisë, 300 bileta avioni në tri ditë
11:01 AM
Eksod masiv nga shkodra drejt Suedisë, 300 bileta avioni në tri ditë
Pa VizaShpërnguljet masive kanë marrë hov pas një lajmi të rremë, sipas të cilit, Suedia ofron azil ekonomik deri në datën 10 maj. Por si e gjithë Europa, Suedia nuk pranon azilantë ekonomikë apo politikë nga ShqipëriaShkodër Një numër prej rreth 100 familjesh nga zona e Nënshkodrës janë shpërngulur drejt Suedisë vetëm gjatë prillit, me shpresë të përfitimit të azilit, ndërsa mësohet se vetëm në pak ditë, 300 persona kanë prerë bileta për të udhëtuar drejt shtetit nordik. Shpërnguljet masive kanë marrë hov pas një thashethemi, sipas të cilit, Suedia ofron azil ekonomik deri në datën 10 maj. Problemi është që Suedia nuk pranon azilantë ekonomikë dhe politikë nga Shqipëria, e në fakt, asnjë vend i Shengenit nuk pranon, gjë që ishte një nga kushtet e nënshkrimit të marrëveshjes së lëvizjes së lirë. Ndërkohë duket se bëhet fjalë për një thashethem, që po u kushton më shumë se kursimet e jetës këtyre familjeve, ndërsa një banor pranoi për "Mapo”-n se kishte paguar rreth 3 mijë dollarë bileta avioni me para borxh, vetëm për t’u kthyer më pas në aeroportin e Malit të Zi, pasi i mungonte bileta e kthimit. "Nuk i kisha paratë për biletat e kthimit, ndaj edhe nuk më lejuan të udhëtoja drejt Suedisë”, – shprehet banori, i cili nuk pranon të identifikohet. Pjesa më e madhe e këtyre banorëve thonë se po shpërngulen për arsye ekonomike, ndërsa sipas tyre ata janë dëmtuar rëndë nga përmbytjet dhe ende nuk kanë marrë dëmshpërblim.

Fenomeni

Fenomeni është shtuar gjatë ditëve të fundit, ku sipas burimeve nga agjencitë e udhëtimeve në 48 orët e fundit janë prerë mbi 300 bileta avioni, në total një kosto prej më shumë se 100 mijë dollarësh, që kanë si destinacion shtetin e Suedisë. Familjet nga Nënshkodra deklarojnë se do shkojnë për vizita turistike. Sipas informacioneve nga banorë të këtyre fshatrave, ky fluks ka ndodhur pasi është përhapur lajmi se deri më datën 10 maj do të pranohet azili ekonomik në Suedi. Familjet që vendosin të largohen drejt Suedisë pajisen me vërtetime nga komunat, ku deklarohet se ato nuk trajtohen me ndihmë ekonomike, nuk janë të punësuar dhe nuk ushtrojnë aktivitet privat. Këto noterizohen së bashku me të tjera dokumente, ndërsa pasaportat biometrike duhet të jenë të papërdorura më parë prej tyre, pra me asnjë vulë. Sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Jashtme suedeze bëhet e ditur se azili politik dhe ekonomik për shtetasit shqiptarë është i pamundur në tokën suedeze, përveç rasteve kur shqiptarëve iu kërcënohet seriozisht jeta në vendin e tyre, ndërsa ky fakt duhet të miratohet nga Ministria e Brendshme shqiptare. Në të kundërt, shqiptarët qëndrojnë për disa muaj në Suedi dhe më pas do të kthehen përsëri në vendin e tyre, duke iu refuzuar azilin politik dhe ekonomik.

Rasti

Një banor i Nënshkodrës, i cili ka tentuar të shkojë në Suedi, rrëfen se është nisur bashkë me familjen, nënën, gruan dhe tre fëmijët, njëri prej të cilëve me aftësi të kufizuara, pasi nga fshati i tij vetëm muajin prill kanë shkuar drejt Suedisë rreth 100 familje. "Jam nisur bashkë me familjen për në Mal të Zi duke kaluar me karta identiteti dhe pastaj nga atje kemi prerë biletat për Suedi. Por nuk jam lejuar të shkoj, pasi biletat i kisha prerë vetëm për vajtje, ndërsa duhej të priteshin edhe biletat e kthimit”, – ka treguar ai pa pranuar të japë emrin, pasi ashtu si shumë të tjerë shpreson t’ia dalë mbanë dhe në fund të mund të fitojë azilin. "Unë nuk kisha para për të gjitha këto, sepse i kisha marrë hua dhe kisha një sasi eurosh, të cilat duhen deklaruar kur thua se do shkosh për turizëm. U nisa sepse thonë se atje mund të marrësh azil politik ose ekonomik”, – ka treguar banori në fjalë. Por ai nuk e di se si mund të arrijë ta fitojë azilin në Suedi.

Arsyet

"Nuk e di, ndoshta është dikush që merret me atë punë atje, pasi ata që kanë shkuar nuk janë kthyer. Unë gabova në procedurë”, – ka thënë banori. Ndërkohë që sipas tij arsyet e largimit janë ekonomike. "Në Shqipëri është bërë shumë e vështirë jetesa, prodhimi i tokës nuk shitet, shteti nuk na ka dëmshpërblyer për përmbytjet. U ktheva se dhe paratë i kisha marrë borxh dhe e kisha të pamundur të vazhdoja”, – ka treguar ai. Të tjerë banorë shprehen se kanë dëgjuar për azilin ekonomik në Suedi dhe ata që kanë shkuar kanë pak ditë dhe nga komunikimi me ta thonë se atje u është thënë të presin. Ka disa që kanë shkuar më përpara dhe pasi kanë dhënë intervistat kanë marrë vlerësim negativ, që do thotë se do kthehen, por akoma nuk janë kthyer.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus