Kryesore » 2012 » Qershor » 14 » Cliff: Pakoja e Ahtisaarit, e vetmja rrugë drejt BE-së
6:42 PM
Cliff: Pakoja e Ahtisaarit, e vetmja rrugë drejt BE-së
Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff ka theksuar sot se respektimi rigoroz i Pakos së Ahtisaarit dhe ligjeve që dalin nga ky dokument që ka përcaktuar pavarësinë e Kosovës, është e vetmja rrugë drejt integrimeve evropiane. Ky konstatim nga ambasadori Cliff është dhënë gjatë një debati të organizuar në Deçan nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të këtushëm, e ku merrnin pjesë përfaqësues të komunës së Deçanit, Pejës dhe Juniku, si dhe të shoqërisë civile. Sipas tij, kjo rrugë nuk mund të pengohet nga Serbia e as nga Kosova, por të dyja duhet të kenë të njëjtin synim, raporton Koha Ditore. 
"Ndonëse BE si tërësi nuk e njeh Pakon e Ahtisaarit, për arsye se 5 nga 27 shtete të BE-së nuk e njohin këtë, mund të them se 22 shtete të BE-së dhe vendi im janë përkrahës të fuqishëm të kësaj pakoje dhe të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar më pas se Plani i Ahtisaarit bazohet në kriteret dhe standardet e BE-së, por pa respektimin e tij nuk mund të ketë pavarësi të mirëfilltë. Duke e komentuar gjendjen në veri të vendit, Cliff ka thënë se BE-ja i ka dërguar mesazhe të qarta Serbisë për shpërbërjen e strukturave paralele në veri, dhe për sundimin e rendit e ligjit”. Më pas ai është "bombarduar” me kritika të shumta rreth qasjes së ndërkombëtarëve kundrejt zonës së mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit, i cili, sipas folësve, është duke bllokuar në vazhdimësi zhvillimin e turizmit në këtë komunë. Pas këtyre vlerësimeve, Cliff ka thënë se domosdo duhen respektuar ligjet e zonës së mbrojtur si dhe ato të trashëgimisë kulturore, duke shtuar se Kosova duhet të jetë vend ku respektohet rendi dhe ligji. "Është përgjegjësi e shumicës që të integrojë të gjitha pakicat”, ka thënë Cliff. 

Rasim Selmanaj, kryetar i Deçanit, pasi ka vlerësuar se është bërë, siç ka thënë ai, një relaksim i marrëdhënieve me Manastirin, ka thënë se "kjo klimë e mirë do t’i kontribuojë edhe realizimit të projekteve që shkojnë në dobi të qytetarëve dhe të vet Manastirit”. Duke përmendur ndërtimin e tri hidrocentraleve në rrjedhën e lumit "Lumëbardhi”, ai është shprehur optimist se do të realizohen edhe projekte të tjera dhe sidomos ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, duke e vlerësuar kështu këtë një sfidë që mund të realizohet edhe me vullnetin e klerikëve të Manastirit dhe të ndërkombëtarëve. Kurse Halil Tolaj drejtor komunal për ekonomi, ka thënë se zona e rëndësisë së veçantë dhe Manastiri i Deçanit kanë bllokuar investimet në këtë komunë, duke e bllokuar edhe zhvillimin ekonomik të saj.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus