Kryesore » 2012 » Dhjetor » 14 » Buxheti 2013 do të rrit pagat
3:37 PM
Buxheti 2013 do të rrit pagat
Pas miratimit të djeshëm të buxhetit të Kosovës për vitin 2013, kryeministri i vendit ka thënë se ky është buxheti më i lartë në historinë e Kosovës, që parasheh një zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale si dhe ngritjen e pagave për kategori të ndryshme. Gjithashtu ai ka përmendur edhe ndërtimin e autostradave që do të bëhen me këtë buxhet. Ndërkohë as sot në mbledhjen e Qeverisë nuk është miratuar Projektligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, ndërkohë është miratuar ai për investimet e huaja.Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të premten, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka falënderuar ministrin e Financave dhe deputetët e maxhorancës për kontributin e dhënë në miratimin e buxhetit.

Ai edhe njëherë ka ripërsëritur me këtë buxhet parashihet rritja e mirëqenies sociale, si dhe ngritja e pagave për kategori të ndryshme, duke i cekur se për cilat kategori bëhet fjalë.

"Është buxheti më i lartë në historinë e Kosovës, është një buxhet i zhvillimit ekonomik, i vazhdimit të qeverisjes së mirë, i krijimit të vendeve të reja të punës, i synimeve tona të rritjes së mirëqenies sociale të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që do të nënkuptonte në vazhdimësi rritje graduale të pagave për kategoritë e ndryshme të shoqërisë kosovare”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Po ashtu ai ka thënë se me këtë buxhet përfshihen edhe projekte jashtëzakonisht të rëndësishme infrastrukturore, siç është vazhdimi i ndërtimit të autostradës së kombit "Ibrahim Rugova” nga Aeroporti i Prishtinës në drejtim të Besisë, ku edhe janë ndarë mjetet për vazhdimin e punës.

Gjithashtu kryeministri ka thënë se është krijuar buxhet i mjaftueshëm për fillimin e punimeve të autostradës tjetër që lidh Prishtinën-Ferizajn-Kaçanikun në drejtim të Shkupit.

Po ashtu ai ka thënë se janë siguruar mjetet e mjaftueshëm edhe për vazhdimin e zgjerimit të punimeve në magjistralet Prishtinë-Pejë, pra Gjurgjicë deri në Kijevë si dhe zgjerimit të punimeve nga Millosheva në drejtim të Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

Ndërsa ka shtuar se shumë shpejt do të filloj studimi për zgjerimin e magjistrales që do të vazhdon nga Besia në drejtim të Besianës dhe në drejtim të Merdares.

Ai ka thënë se janë dakord me Bashkimin Evropian për fillimin e ndërtimit të autostradës nga Besia në drejtim Gollak-Multivod në drejtim të Leskovcit, por siç ka thënë ai kjo nuk do të ndërtohet nga buxheti i Kosovës.

As në këtë mbledhje nuk është arritur që të miratohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Pas disa propozimeve të ndryshme, kryeministri Thaçi këtë e ka lënë që të miratohet për javën e ardhshme, në mënyrë që të bëhen edhe disa konsultime.

Por ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka sqaruar arsyet përse është shtyrë ky projektligj, duke thënë se po kërkohet që të dihet kostoja e saktë e këtij projektligji.

"Arsyeja e vetme që po shtyhet se kam parë që javën e kaluar ka pasur keqkuptime nuk bëhet fjalë për shtim të festave në ditë të pushimit, mund të shtohen ditët memoriale, por jo ditët e pushimit. Dhe problemi i vetëm që kemi tani është buxhetimi i shpenzimeve që kemi për festat zyrtare. E keni parë gjithmonë ne në prag të festave me vendim të veçantë në Qeveri po duhet të ndajmë buxhet për festimin dhe shënimin e festave zyrtare. Tani thjeshtë është duke u bërë një kalkulim dhe ministri i Financave kërkoj që të saktësohet qartë me ligj sa do të jetë kostoja e secilës festë”, ka theksuar Çitaku.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka prezantuar para kabinetit qeveritar një propozim-vendim që ka të bëjë me një plotësim vendim të mëhershëm.

Sipas tij ky propozim vendim përbëhet nga pjesa e tekstit të vendimit, nga një shtojcë e shteteve që mendohet që duhet të ketë regjim të vizave.

"Më lejoni që të ju informoj se ideja kryesore e këtij vendimi është që të vendoset regjim i vizave për shtetasit e shteteve të listuar në listën e parë, është fjala për 87 shtete. Dua të precizoj që këtu nuk është Sudani Jugor, por duhet të përfshihet edhe ky shtet. Shtetasit e këtyre shteteve të listuar në këtë shtojcë duhet të pajisen me viza hyrave në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës para se të hynë në Republikë të Kosovë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Por në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur sot është miratuar edhe Projektligji për investimet e huaja, duke larguar Ligjin e vjetër që është miratuar në vitin 2005.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se me ligj të ri do të ketë mbrojtje të investitorëve të huaj dhe mos diskriminim të tyre.

"Ky ligj nuk ka qenë zbatueshmëri të plotë, prandaj është paraqitur domosdoshmëria ndryshimin e ligjit ekzistues. Arsyeshmëria e ndryshimeve të propozuara është vendosja e një kornize ligjore e cila specifikon dhe ofron trajtim të barabartë investitorëve të huaj dhe investimeve të huaja të tyre në Kosovë. Kosova gjithashtu do të siguroj investitorëve të huaj dhe investimet e tyre mbrojtje dhe siguri të vazhdueshme, njëkohësisht ky projektligj ofron garancinë e nevojshme lidhur me mbrojtjen dhe mosdiskriminimin e investimeve të huaja”, ka theksuar ajo.

Për më tepër ajo ka thënë se me këtë ndryshime Kosova synon të ngjitet edhe më larg në raportet e Bankës Botërore.

Po ashtu sot është miratuar Projektligji për Produktet e Ndërtimit dhe Projektligji për Institutin e Kosovës për Administratën Publike.

Gjithashtu është miratuar Propozim-vendimit për themelimin e Komisionit Disiplinor për Kryeshefin Ekzekutiv për Agjencinë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka shkarkuar kryeshefin e kësaj agjenci Blerim Camaj.

Është miratuar Projekt-udhëzimi Administrativ për Cilësinë e Ujit për konsum nga Njeriu dhe projekt-rregullorja për pagesën e pagave dhe shtesave të kryetarëve/kryesuesve dhe anëtarëve të Bordit për rishqyrtimin e ankesave, komiteteve të auditimit, Këshillit Kosovar për Raportim Financiar.

Gjithashtu është miratuar projekt-rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Integrimit Evropian.

Gjatë mbledhjes së sotme është miratuar edhe propozim-vendimi përfundimtar për shpronësimet cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9 Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë, Zonat Kadastrale, Arllat dhe Llapushnik të Komunës së Drenasit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus