Kryesore » 2012 » Korrik » 24 » Bujar Nishani merr zyrtarisht detyrën si President i Republikës
7:58 PM
Bujar Nishani merr zyrtarisht detyrën si President i Republikës
Bujar Nishani tashmë mund të cilësohet edhe zyrtarisht Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë, Nishani pas një takimi të shkurtër me presidentin në largim, Bamir Topi, i është dorëzuar Kushtetuta nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, që shënon edhe marrjen e detyrës.Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë zyrtarët më të lartë të vendit përfshirë kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama.
Nishani betohet në KuvendBujar Nishani është betur para Kuvendit si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Ai është Presidenti i gjashtë i Shqipërisë pluraliste dhe do të mbajë këtë post deri në korrik të vitit 2017. Me dorën mbi Kushtetutë, Nishani tha: "Betohem! Zoti më ndihmoftë". Në fjalën e mbajtur pas betimit, Nishani u shpreh se "misioni ynë është ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë më të qetë më të sigurt, më njerëzore dhe besimplotë”. Ai nënvizoi se "institucioni i presidenti do të garantojë që dekreti do t’i kushtohet vetëm atyre që kanë vërtetuar se kanë kurajën, nivelin profesional dhe integritet”.

"Sot Shqipëria ndodhet përballë çasteve shumë të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen. Përpjekjet tona për të marrë statusin e vendit kandidat janë interesi më i madh i qytetarëve tanë. Është fat që të gjitha forcat politike janë pro euroatlantike dhe Bashkimit Evropian”.

Nishani u zgjodh president me 11 korrik me 73 vota të marra nga mazhoranca qeverisëse.


"Do angazhohem për zgjidhjen e krizave politike"

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili pritet të betohet sot, shprehet se do të ndërmarrë reforma si dhe do të zgjidhë krizat politike, të cilat zvarrisin integrimin e vendit në BE.

"Sistemi i drejtësisë do të jetë prioriteti im. Do të angazhohem plotësisht në favor të një reformë në sistemin ligjor, e cila mbetet faktori kyç në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, është shprehur Nishani në një intervistë AFP, pak orë para betimit.

Brukseli ka përsëritur vazhdimisht se mangësia e sistemit ligjor në Shqipëria është pavarësia, transparenca dhe zbatueshmëria. Sondazhet tregojnë se shumica e shqiptarëve e shohin sistemin e drejtësisë si sektorin më të korruptuar të shoqërisë.

Shqipëria, vend me një popullsi 2.8 milionë, ka demokraci parlamentare ku kryeministri ka fuqi institucionale ndërsa presidentin është kreu i sistemit të drejtësisë dhe komandant i forcave të armatosura. Në këtë funksion, presidenti përzgjedh gjykatësit dhe prokurorët por gjithashtu me përzgjedhje të kryeministrit ai emëron edhe kreun e shërbimit sekret.

"Presidenti mund të kontribuojë drejtpërdrejtë (në reformat e drejtësisë) për të garantuar opinionin publik si edhe partnerët ndërkombëtare se ne mund të arrijmë standardet e kërkuara”, shprehet Nishani, i cili në korrik u zgjodh në këtë post me votat e mazhorancës qeverisëse. "Do të jem plotësisht i pavarur nga çdo influencë që vjen nga forcat politike”, insiston ai.

Për tre vite, që kur socialistët akuzuan Berishën për vjedhje të zgjedhjet, Shqipëria ka qenë në krizë politike. "Bashkëpunimi me shumicën qeverisëse dhe opozitën është shumë e rëndësishme për mua”, thotë Nishani. Sipas tij procesi i integrimit në BE duhet të bashkojë forcat politike të që të punojnë së bashku.

Shqipëria ka aplikuar për statusin kandidat me 28 prill të vitit 2009 dhe dy herë ka marrë përgjigje negative nga Brukseli. "Jam optimist që Shqipëria do të marrë statusin në vjeshtë”, shprehet Nishani për AFP-në. Javën e kaluar parlamenti ndërmori një hap të vogël në drejtimin e duhur, pas presionit të Brukselit. Koalicioni qeveritar dhe opozita votuan ligjin e ri zgjedhor dhe komuniteti ndërkombëtar shpreson që kjo t’i japë fund kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve, që ka shoqëruar çdo proces që pas rrëzimit të komunizmit në vitet 1990.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus