Kryesore » 2012 » Janar » 19 » Berisha: U lirova falë Pacollit
9:52 PM
Berisha: U lirova falë Pacollit
Piloti kosovar me nënshtetësi amerikane, James Berisha, i cili për pesë muaj rresht është mbajtur në paraburgim nga autoritetet e shtetit të Eritresë ka arritur të enjten në Prishtinë. I shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe nga biznesmeni kosovar, Remzi Ejupi, të cilët ishin angazhuar për ta liruar atë, Berisha ka thënë se rrugëtimi i tij nëpër botë me aeroplan personal që ka pasur qëllim shtimin e njohjeve për vendin nga shtete të ndryshme ka rezultuar me paraburgosjen e tij dhe me ndërprerjen e përkohshme të këtij misioni. Derisa ka treguar detaje nga arrestimi dhe paraburgosja e tij, gjatë një konference me gazetarë në Aeroportin e Prishtinës, ku është pritur edhe nga familjar dhe bashkëvendës të tij, Berisha ka pohuar se gjithçka ka nisur në Aeroportin e shtetit diktatorial, duke e cilësuar atë si agjent të Shërbimit Informativ Amerikan, meqenëse pasaporta e tij ka qenë amerikane."Po mos të kishte qenë zotëri Pacolli asnjë njeri i këtij vendi, i trojeve shqiptare nuk do të mund ta kthente James Berishen në Kosovë. Pesë muaj ditë në burgun e Eritresë, secila ditë në burgun afrikan ishte si me qenë një vjet në liri”, ka thënë Berisha duke treguar dy lecka, që sipas tij janë shkëputur nga batanijet e vetme që ka pasur për t’i shfrytëzuar si shtrat dhe mbulesa. 
Piloti kosovar, veprimtaria e të cilit njihet me sloganin "Fluturo për Kosovë” është shprehur i inatosur në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka thënë se ka kohë që nga institucionet e vendit kërkon një pasaportë diplomatike, dhe që nuk i jepet një e tillë. 
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Pacolli ka thënë se ky ka qenë njëri nga misionet më të vështira të tij, meqenëse, është dashur që të negociohet me autoritetet e një vendi diktatorial të ngjashëm me Korenë Veriore. "Ka qenë mision i vështirë, për arsye se nuk e kam pasur sensin e kontrollit qind për qind, sepse gjatë misioneve të tilla duhet ta kesh një sens të ndjeshmërisë, të suksesit apo dështimit. Këtë nuk e kam pasur gjithmonë sepse gjithmonë ka qenë aktiviteti i padefinuar. Kur kam qenë emocionalisht më i avancuar, një bisedë me tjetrin më ka demoralizuar totalisht”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se ndihmesë të madhe në lirimin e pilotit kosovar ka dhënë biznesmeni Remzi Ejupi, i cili përveç tjerash e njehë mirë kulturën afrikane dhe gjuhën arabe. Edhe vetë Ejupi ka theksuar se nxjerrja e James Berishes nuk ka qenë e lehtë dhe as udhëtimi për në vendin ku mbahej ai. Ejupi ka porositur qytetarët që vendet diktatoriale si Eritria apo Etiopia mos të vizitohen, por shëtitjet dhe aventurat e ndryshme të bëhen në pjesët tjera të botës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus