Kryesore » 2012 » Qershor » 12 » Babai, kundërthënës me deklaratat e Bllacës
12:48 PM
Babai, kundërthënës me deklaratat e Bllacës
Idriz Bllaca, babai i të vetëquajturit kriminel në kohën sa po punonte "argat” në Shërbimin Informativ të Kosovës, Nazim Bllacës, të hënën ka vazhduar dëshminë në procesin gjyqësor kundër gjashtë të akuzuarve për vrasjen e Sali Gashit dhe tentim-atentatit ndaj Adem Salihajt e Ismet Arifit. Gjatë seancës gjyqësore kundër Sadik Abazit, Fahredin Gashit, Shpresim Ukës, Shabana Sylës, Bekim Sylës e Driton Hajdarit, në cilësinë e dëshmitarit Idriz Bllaca është përgjigjur në pyetjet e avokatëve përkitazi me periudhën kohore 2007-2009 dhe veprimet e Nazim Bllacës e të shokëve të tij në atë kohë. Babai i Nazim Bllacës është vlerësuar si kontradiktor nga mbrojtësit e të akuzuarve krahasuar me dëshminë që ka dhënë Nazimi kohë më parë. Derisa ky i fundit ka pohuar se me tashmë të akuzuarin Shpresim Uka është njohur qysh në vitin 1999, Idriz Bllaca në dëshminë e tij ka thënë se nuk e ka njohur Ukën deri në vitin 2007. 

"Ka një mospërputhje absolute mes deklaratave të Nazim Bllacës dhe babait të tij në cilësinë e dëshmitarit e sidomos ka shumë mospërputhje sa u përket deklaratave në drejtim të klientit tim”, ka thënë mbrojtësja e të akuzuarit Shpresim Uka, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

E tërë dëshmia e Idriz Bllacës e cila ka vazhduar nga seanca e kaluar, të hënën është përcjellë me pyetje nga pala mbrojtëse të cilët në mënyra të ndryshme kanë tentuar ta sprovojnë dëshmitarin karshi dëshmive të dhëna nga Bllaca.

Pas përfundimit të dëshmisë së Idriz Bllacës, në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur Metush Isufaj, i cili me deklaratat e tij ka akuzuar rëndë në mënyrë direkte të ulurin në bankën e të akuzuarve Sadik Abazin.

Por, deklarimet e tij, Isufaj do t’i vazhdojë edhe në seancën e radhës e cila është caktuar të mbahet të mërkurën më 13 qershor. Ndryshe aktakuza e ngritur nga EULEX-i ngarkon të akuzuarit për vrasjen e Salih Gashit dhe për atentatin ndaj Adem Salihajt e Ismet Arifit. S.Bajrami
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus