Kryesore » 2012 » Qershor » 25 » “Ahtisari” dhe “Ohri” kanë përmbyllur ndryshimin e kufijve
4:38 PM
“Ahtisari” dhe “Ohri” kanë përmbyllur ndryshimin e kufijve
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar sot vizitën zyrtare në Maqedoni. Ai u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki, me të cilin diskutoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, projektet konkrete për avancimin e bashkëpunimit si dhe për perspektivat e përbashkëta integruese në strukturat euroatlantike.Pas takimit, dy ministrat mbajtën konferencë të përbashkët për medie.
Para shumë gazetarëve të pranishëm në konferencë, ministri Hoxhaj ka vlerësuar raportet miqësore të Kosovës me Maqedoninë për dekada të tëra, duke theksuar edhe mbështetjen që Maqedonia ka dhënë për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë, thuhet në njoftimin për e MPJ-së.
Dikur iu referuar këtyre marrëdhënieve, Hoxhaj theksoi se për Kosovën, Maqedonia është një shtet strategjik dhe se fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësia e mirë është përkushtim i Kosovës.

"Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë”, tha Hoxhaj.

Lidhur me bashkëpunimin politik, ministri Hoxhaj tha se dokumentet si ‘Plani i Ahtisarit’ për Kosovën, por edhe ‘Marrëveshja e Ohrit’ në Maqedoni, kanë mbyllur çështjet e kufijve në Ballkanin Perëndimor dhe kanë trasuar rrugën për fokusim të shteteve tonë për integrime euro atlantike, aspiratë që Kosova dhe Maqedonia e ndajnë së bashku.

"Rreth 20 marrëveshje ndërshtetërore, bashkëpunim në shumë fusha, vizita e takime intensive në të gjitha nivelet, përbejnë atë që mund të quhet model i bashkëpunimit rajonal dhe i fqinjësisë së mirë”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi faktin se Kosova dhe Maqedonia janë vendet e vetme në Ballkan që kanë bërë suksesshëm demarkimin e kufirit.

"Kufiri ynë i përbashkët tani mbikëqyret vetëm nga policia. Ky është një model evropian, që duhet të aplikohet edhe nga shtete tjera të Ballkanit”, tha Hoxhaj, duke theksuar përkushtimin për thellimin edhe më të madh të bashkëpunimit në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, sipas praktikave moderne të Bashkimit Evropian.

Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit me homologun Poposki është diskutuar për dy mënyra se si mund të lehtësohet shkëmbimi i ideve dhe mallrave përmes vendosjes së regjimit të ri për kalimin me vetëm me letërnjoftime të kufirit dhe shkurtimit të kohës së udhëtimit nga Prishtina në Shkup dhe nga Shkupi në Prishtinës, përmes ndërtimit të një Autostrade.

Lidhur me marrëdhëniet ekonomike, Hoxhaj theksoi se lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave sipas konceptit evropian do të nxisë edhe më shumë bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik.

Ministri i Jashtëm i Kosovës në këtë frymë tha se do të ketë një përshpejtim të veprimeve për finalizim sa më shpejt të vendkalimit të ri kufitar, Stançiq-Bellanofc, vendkalimi në afërsi të Tetovës (Jazhincë-Glloboqicë) të aftësohet dhe licencohet edhe për mallra, pastaj të hapen vendkalime të reja, atje ku ka nevojë e mundësi.

Hoxhaj ka theksuar edhe synimin e përbashkët të dy vendeve për proceset integruese euroatlantike.

"Evropa nuk mund të jetë e plotë, pa anëtarësimin e të gjitha shteteve në Bashkimin Evropian. Reformat në të dy shtetet, dëshmojnë se ne jemi përcaktuar për BE. Integrimin në strukturat euroatlantike nuk e shohim vetëm si një obligim, por si një mundësi për të reformuar shtetin tonë dhe modernizuar shoqërinë”, tha ministri Hoxhaj.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki, deklaroi se gjatë takimit me ministrin Hoxhaj është rënë dakord për thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Poposki ka thënë se Maqedonia do ta ndihmojë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e kritereve teknike për këtë proces duke theksuar edhe përkushtimin e Maqedonisë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ekonomike me Kosovën.

"Gjatë bisedimeve ishte theksuar nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit me vetëqeverisjen lokale dhe odat ekonomike. Njëherësh e kemi shqyrtuar edhe mundësinë për lëvizje të qytetarëve vetëm me letërnjoftime”, tha ministri Poposki.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë ditës do të zhvillojë takime edhe me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin Nikola Gruevski dhe me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus